Sela dhe Gashi përkrahin protestat e 22 shkurtit në Kumanovë

 Sela dhe Gashi përkrahin protestat e 22 shkurtit në Kumanovë

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, përmes një shkrimi të publikuar në fejsbuk, ka bërë thirrje te të gjithë simpatizantët e Aleancës për Shqiptarët dhe te të gjithë qytetarët që ti bashkëngjiten protestës së paralajmëruara kundër vendimit për burgosjen e babait dhe axhës së Almir Aliut, që do të mbahen ditën e hënë (22.02.2021) para Gjykatës Themelore të Kumanovës.

“Sot, drejtësia selektive që vazhdon të mbizotërojë në vendin tonë ka fytyrën e Almirit të vogël, të vrarë në mënyrë mizore nga një kriminel ordiner. Ndërsa krimineli rehabilitohet dhe madje shpërblehet me post publik për shkak të përkatësisë së tij kombëtare dhe partiake, prindi i viktimës dënohet me burg, poashtu për shkak të përkatësisë së tij kombëtare dhe mungesës së librezës së duhur partiake. Kur padrejtësia bëhet normë, rezistenca bëhet detyrë.

Andaj, Aleanca për Shqiptarët përkrah pa rezervë protestën kundër dënimit me burg të babait të Almirit që do të mbahet të hënën më 22 shkurt para Gjykatës Themelore të Kumanovës.

U bëj thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të Aleancës për Shqiptarët si dhe të gjithë qytetarëve të ndërgjegjshëm të këtij vendi që të solidarizohen me familjen e Almirit duke iu bashkëngjitur kësaj proteste paqësore, gjithnjë duke i respektuar masat antikovid”, shkruan Ziadin Sela – Kryetar i ASH-së.

Nga ana tjetër edhe kreu i Alternativës tha se, “Protestat e paralajmëruara kundër vendimit për burgosjen e babait dhe axhës së Almir Aliut, që do të mbahen ditën e hënë (22.02.2021) para Gjykatës Themelore të Kumanovës, përveç që janë e drejtë demokratike dhe revoltë qytetare ndaj vendimeve të padrejta dhe etnocentrike të kësaj gjykate, janë edhe dëshmi e fuqishme se ky shtet është i kapur dhe drejtësia vazhdon t’u shërbejë qarqeve albanofobe…

Duke i dhënë mbështetje kësaj proteste, dëshiroj t’i inkurajoj kumanovarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë që mos të nënshtrohen ndaj padrejtësive, pavarësisht se nga kush vijnë,.

Ndërsa pjesëmarrësit e saj i lus të kenë kujdes ndaj shëndetit, por edhe ndaj provokimeve eventuale.

Ne të gjithë jemi Almir Aliu, andaj nuk do të heshtim para padrejtësive” ka thënë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.