Sela: Do ta kthejmë shtetin e së drejtës, do ta ndërtojmë atë me dhe sakrificë, do ti hapim të gjitha proceset e montuara (Video) – AlbMania    
     

Sela: Do ta kthejmë shtetin e së drejtës, do ta ndërtojmë atë me dhe sakrificë, do ti hapim të gjitha proceset e montuara (Video)

 Sela: Do ta kthejmë shtetin e së drejtës, do ta ndërtojmë atë me dhe sakrificë, do ti hapim të gjitha proceset e montuara (Video)

Në Sheshin “Iliria” në Tetovë, koalicioni “Tash është koha”, ASH-AAA, prezantoi kandidatët për deputetë. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selas, bartës i listës në zonën zgjedhore 6, tha se Ne jemi zotuar që do ta kthejmë shtetin e së drejtës, do ta ndërtojmë atë me shumë mund dhe sakrificë, po, po do ti hapim të gjitha proceset e montuara politike dhe të mbyllura dhe që kanë të bëjnë me krim dhe korrupsion, sepse kemi vëllezër dhe motra të cilat vuajnë burgjeve padrejtësisht të dënuar, me dënime që nuk janë parë as në procesin e Nurembergut kur u dënuan nazistët. Ata nuk janë me faj, ata presin dhe sytë i kanë tek shqiptarët që tu gjinden pranë dhe të marrin një gjykim të drejtë, e gjykim që do të udhëhiqet nga faktori ndërkombëtar. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në programin e saj që është ‘Shtet për të gjithë’ e ka të paraparë me hapa të caktuar se çfarë do të bëjë, rihapje e të gjitha çështjeve të mbyllura në të cilat ka dyshim se vendimi ka qenë politik dhe jo i drejtë, thirrja e një trupi gjykatës dhe prokurorësh nga Bashkimi Evropian të cilët do ti hapin këto çështje si dhe grup monitorues i ekspertëve nga Bashkimi Evropian në gjykatën e lartë për çdo proces gjyqësor në të ardhmen, përcjell Albmania.info
Në vijim fjalimi i plotë i kreut të ASH-së Ziadin Sela:
“Të dashur vëllezër dhe motra,
Afrim miku im,
Miq dhe mikesha,
Vëllezër dhe motra që jeni në lista për kandidatë për deputetë, dhe që do fitoni dhe nuk kam aspak dyshim
Arben, Bekim faleminderit për punën që bëni, me aktivistët, dhe mbi të gjitha juve shqiptarë dhe shqiptare të dashura.
Kjo është lista jonë. Këto janë njerëzit tonë. Ky është koalicioni ndërmjet Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët. Koalicion i bërë mes shqiptarësh, shumë me rëndësi, shqip duke folur dhe duke kuvenduar me njëri tjetrin dhe duke dhënë besën aty ku jepet vetëm shqiptarëve. Dhe ne kemi dhënë besë njëri tjetrit që do të vijë ndryshimi. Nuk do të vijë ndryshimi vetëm me numra, por edhe ndryshe. Do të vijë liria mes njerëzve, do të vijë progresi dhe ekonomia, zhvillimi ekonomik.

Ju që keni ëndrra më shumë se gjithsecili, mos ju besoni politikanëve që vijnë e flasin për ëndrra por që realisht e kanë për qëllim ta kamuflojnë ëndrrën që ju e keni për fëmijët që i lëkundi dhe i përkundi në djepat e tyre. Ëndrra e juaj për ta është jetë në paqe, e qetë, në të cilën do të socializohen me fëmijët dhe moshatarët e vet. Ëndrra juaj është shkolla me dinjitet dhe shkolla plot me nxënës në mënyrë që të stimulohet konkurrenca. Ëndrra juaj është Universitete me dinjitet dhe kushte të mira për mësim. Dhe ëndrra juaj është mbi të gjitha krenaria dhe dinjiteti i fëmijës tuaj që nesër ta gjejë një vend pune. Ëndrra juaj është një sistem i mirë shëndetësor për tu përgatitur dhe për tu përkujdesur për shëndetin e prindërve dhe fëmijëve tuaj, si dhe për gjyshërit tanë. Kjo po është ëndërr dhe në lidhje me këtë ëndërr ne jemi marrë vesh bashkë me Alternativën që ta realizojmë dhe ta plotësojmë këtë ëndërr.

Kjo është listë shqiptarësh dhe listë të cilët nuk janë shqiptar sezonal por janë të njëmend, janë vendosur dhe nuk devijon askund. Përpjeke për të na bërë edhe ne pjesë e një koncepti të rrejshëm që synon të na marrë forcën dhe të na shtyp e të na diskriminoj përsëri, ka pasur edhe tek unë edhe tek Afrimi, por jo ne parapëlqejmë një betejë të përbashkët me ju, bashkërisht ta arrijmë me mund fitoren më 15 Korrik dhe bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen nga 15 Korriku e tutje.

Ne nuk e duam fitoren kundër asnjë shqiptari, e duam për ti bërë fitimtarë dhe me dinjitet çdo shqiptar. Ne jemi sonte këtu për tu drejtuar të gjithë shqiptarëve, e kemi nisur nga vendi ku ka kuptim gjithçka edhe mundi edhe aktiviteti, nga Tetova krenare. Këtu në rrëzë të Sharrit plak, i cili pret jetë edhe vitalitet, në rrëzën e Sharrit të cilit i mungon rinia dhe skiatorët sepse është degraduar gjithçka. Ndërsa ne në program premtojmë se do ta revitalizojmë, dhe jo të menaxhohet nga dikush nga atje nga Shkupi, sepse ajo është pasuri e dhënë nga Zoti në dorë të Tetovës dhe tetovarëve, dhe do ta gëzojnë Tetova dhe tetovarët si dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Ne zotohemi se do ti japim fund asaj që besuam para ca vitesh. Besuan shqiptarët se duhet rrezuar një regjim, edhe unë bashkë me shqiptarët e rrëzuan atë regjim, paguam edhe çmim që e rrëzuam atë regjim, por gjysma e regjimit ngeli brenda. Ca shqiptarë që besuan atëherë se nëpërmjet votës tek LSDM-ja do të rrëzohet BDI-ja sot janë dëshmitarë se nuk është ashtu. Vota vetëm për Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën dhe për koalicionin Tash Është Koha e dërgon në opozitë BDI-në.

Ne jemi zotuar që do ta kthejmë shtetin e së drejtës, do ta ndërtojmë atë me shumë mund dhe sakrificë, po, po do ti hapim të gjitha proceset e montuara politike dhe të mbyllura dhe që kanë të bëjnë me krim dhe korrupsion, sepse kemi vëllezër dhe motra të cilat vuajnë burgjeve padrejtësisht të dënuar, me dënime që nuk janë parë as në procesin e Nurembergut kur u dënuan nazistët. Ata nuk janë me faj, ata presin dhe sytë i kanë tek shqiptarët që tu gjinden pranë dhe të marrin një gjykim të drejtë, e gjykim që do të udhëhiqet nga faktori ndërkombëtar. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në programin e saj që është ‘Shtet për të gjithë’ e ka të paraparë me hapa të caktuar se çfarë do të bëjë, rihapje e të gjitha çështjeve të mbyllura në të cilat ka dyshim se vendimi ka qenë politik dhe jo i drejtë, thirrja e një trupi gjykatës dhe prokurorësh nga Bashkimi Evropian të cilët do ti hapin këto çështje si dhe grup monitorues i ekspertëve nga Bashkimi Evropian në gjykatën e lartë për çdo proces gjyqësor në të ardhmen.

Natyrisht kemi çështje të ndryshme, si ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Nuk mundet Tetova me mbi 90% shqiptar, ti ketë vetëm 5 gjykatës shqiptar dhe 14 maqedonas, dhe po aq prokurorë, policë e të tjerë. Tetova do ti ketë 90% gjykatës e prokurorë, policë e administratorë sepse këtë e thotë një e drejtë që është në Kushtetutë dhe që është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat. Dhe ne këtë do ta rregullojmë me ligj. Të gjithë ato që kanë dilema nga ana tjetër dhe që trumbetonin dikur që nuk ka nevojë për ligj. Ne ishim dëshmitarë të atyre para se të nis fushata elektorale, dhe e pamë që ato e keqpërdorin këtë të drejtë, ku dikush deklarohej vetëm me deklaratë si shqiptar vetëm që ti zërë vendin e punës një shqiptari. Nga kush bëhej kjo, në regjinë e kujt? Në regjinë e atyre që kërkojnë vota prej shqiptarëve dhe thonë që janë ndryshe. Nuk janë aspak ndryshe vëllezër e motra. Ne do ti marrim vendet e punës të cilët na i kanë zënë të tjerët.

Brenda 100 ditëve, asnjë shqiptar që ka lindur, jeton, e i cili edhe do të vdes këtu nuk do të ngelë pa nënshtetësi. E ne e premtojmë këtë gjë, që brenda 100 ditëve do ta bëjmë. Sepse ne nuk mund të lejojmë që brenda familjes shqiptare të zhvillohet dramë, ku fëmija kujdeset për prindërit, e jeta e tillë është, sepse njeriu ndërron dhe jetë, e pastaj fëmija duhet të paguaj para për ta marrë prindërin nga spitali sepse nuk ka nënshtetësi.

Këto janë probleme reale, dhe çështje reale që i pengojnë shqiptarët këtu në Maqedoninë e Veriut. Por natyrisht e para dhe më kryesorja barazia. Shqiptarët në Maqedoni nuk janë pakicë, nuk mund të quhet pakicë një popull që është autokton, që përbën mbi 1/3 e popullsisë dhe i vendosur kryesisht në pjesën perëndimore të shtetit dhe një popull që ka kapacitet të stabilizoj dhe destabilizoj shtetin. Ne nuk do të lejojmë që askush shqiptarët ti trajtoj si pakicë. Dhe ne këtë do ta nisim duke i thënë shqipes ashtu siç e meriton gjuhë shqipe e jo gjuha që e flasin mbi 20% e popullatës.

Ne jemi marrë vesh që të bëjmë fushatë me dinjitet duke mos u marrë shumë me oponentin politik dhe këtë e bëmë. Por më lejoni ti ngremë duart lartë të gjithë, me një ‘pesçe’ dhe e dini cilin ta përshëndesim? Ali në opozitë pas 15 Korrikut. Kudo që ti shihni, mos e harroni, Ali pas 15 Korrikut do të jesh në opozitë. Mos harroni edhe diçka tjetër, shqiptarët do të jenë të lirë pas 15 Korrikut, sepse nuk do të ketë njerëz të cilëve do të ju lajmërohet dikush në 12 të natës për të bërë ‘like’ ose ‘share’ në rrjetet sociale. Të lirë do të jenë administratorët, e kur jemi te administratorët, Ali, shqiptarët janë lindur për të qenë udhëheqës dhe jo bashkëpunëtor ashtu siç e ke lënë administratën shqiptare. Ali, 18 vite shqiptarët të kanë zgjedhur kryeministër të shqiptarëve, dhe sot po na kërkon kryeministër shqiptar. 18 Vite ke qenë kryeministër i shqiptarëve sepse ke marrë votat, ndërsa ti 18 mijë herë i ke zhgënjyer shqiptarët. 18 herë ke qenë kryeministër i tyre për ta mbrojtur paranë e tyre kur sillet buxheti, e ti i ke shitur paratë e tyre. Dhe jo vetëm kaq, 18 herë ke votuar ribalanc buxheti dhe nuk je treguar kryeministër shqiptar. 18 mijë dhimbje ka sot e të panumërta te prindërit e Almirit, tek e shohin vrasësin e fëmijës së tyre të jetë i lirë. Ke qenë kryeministër i shqiptarëve dhe gjithësecili që merr votën dhe fiton zgjedhjet kryeministër i shqiptarëve është. 18 Vjet ke qenë kryeministër i shqiptarëve, dhe ke votuar minimumi mbi 50 miliardë euro buxhet dhe nuk ju ke ndërtuar asnjë shkollë shqiptarëve, asnjë çerdhe, asnjë spital shqiptarëve.

Shqiptarët në Çashkë duan abetare. Ti ja ke ndal abetaren edhe shqiptarëve në Tetovë, në Strugë se i thotë libër leximi me politikat e tua dhe jo Abetare siç i thotë çdo shqiptari në Shqipëri e Kosovë e gjithëandej. Atje nuk u lejohet të mësojnë në gjuhë shqipe Ali, Manastiri, Ohri, Prilepi e Velesi nga viti 2008 presin të hapet paralelja në gjuhë shqipe në shkollë të mesme, nuk është hapur akoma Ali, kryeministër i shqiptarëve ke qenë. Dhe mos na shit ndonjë emër të përveçëm gjoja se kryeministër se kjo do të shërbej vetëm për një gjë, vetëm për të kamufluar diskriminimin, eksploatimin dhe mungesën e lirisë tek shqiptarët. Andaj, ke qenë kryeministër i shqiptarëve, nuk do të jesh më pas 15 Korrikut. Sepse shqiptarët e sjellin ndryshimin vet, e ne do ta udhëheqim bashkërisht me ta. Shqiptarët do të përfaqësohen ashtu siç duhet.

Ne kemi bërë një parafushatë dhe nuk kemi lënë fshat pa shkuar, përpara se të shpallen zgjedhjet më 12 Prill. Dhe krenoheni me fjalë boshe për ndërtime të cilët i takojnë standarteve të shekullit 21, Aliu është akoma tek 20-ta, ndërsa nevojat e shqiptarëve janë të mesjetës, uji për pije. Janë plot numrat e fshatërave dhe vendbanimeve, por çfarë flas unë? Ja pra e Tetovës e cila e mban me ujë të gjithë Maqedoninë e nga ana tjetër ujë për pije për vete nuk ka. E njëjta situatë me Sarajin, Likovën e me shumë, shumë qytete tjera. Nuk konstatojmë vetëm, por edhe premtojmë 100 Milionë euro në vit, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do ti ndajë për investime direkte në vendbanimet shqiptare, dhe zotohemi se pas 4 viteve, asnjë shqiptar, dhe asnjë vendbanim të mos ankohet për ujin e pijes.

Ne do të ja arrijmë kësaj gjëje, por natyrisht që të mos e zgjas më tepër sepse Tash Është Koha që ju të bisedoni me shqiptarët, shqiptarë e bij shqiptari e jo me ata që ju është bërë gjaku ujë, e ti kërkoni përkrahje për numrin 5. Numrin e shpresës, dhe numrin e fitores me 15 Korrik.

15 Korriku do të jetë dita kur edhe vëllezërit tonë dhe motrat tona do jenë prezent, sepse demokracia pa ata nuk ka kuptim, pra mërgata shqiptare e cila po mobilizohet, e me 15 Korrik do të jetë këtu jo vetëm për ta bërë fitoren por për ta rrit diferencën akoma më tepër. E kur jemi te diaspora unë do ti lus, kandidatët të cilët janë për deputet që vijnë të rreshtohen, në ndërkohë që unë të vazhdojë fjalimin për pak minuta në mënyrë që ta bëjmë një fotografi të përbashkët, gjithmonë duke ruajtur distancën ashtu siç duhet edhe ju të keni shumë kujdes, ndërsa unë do marrë për shkas të citojë të madhin e shqiptarëve, figurën më të ndritur, Faik Konicën, ai thotë kështu në një moment: ‘Pjesa më e bukur e shtëpisë është votra, sepse aty mblidhen vëllezërit e kuvendojnë me njëri tjetrin. Por votra, është po ashtu edhe shkaku se përse fëmijët e asaj shtëpie largohen, sepse kur nuk përkujdesesh për ta ajo nis qelbet erë e fëmijët largohen.’ E pra të dashur shqiptar, vëllezër e motra, ato të cilat ua kanë dhënë votën, e u kanë bërë kryeministra shqiptarësh për tu përkujdesur për votrën, janë përkujdesur për votrën, e kjo votër është qelbur erë, ka ardhë koha që për këtë votër të ketë përkujdeset nga rinia e shqiptarëve, në mënyrë që ti vijë era mirë e përsëri fëmijët e asaj shtëpie të grumbullohen në vatrën e tyre.

Prandaj të dashur vëllezër Tash Është Koha për ta sjellë ndryshimin, Tash Është Koha për ta sjellë ndryshimin e demokracinë, Tash Është Koha nëpërmjet demokracisë të ju japim mundësi edhe atyre që nuk kanë pasur deri dje, Tash Është Koha që nëpërmjet ndryshimit ato që ishin të japin llogari për pisllëqet që kanë bërë, Tash Është Koha pranë njeri tjetrit, të disiplinuar, një nga një duke votuar numrin 5, të ja sjellim ndryshimin demokracinë dhe lirinë e fitoren shqiptarëve.

Na priftë e mbara!”, përfundoi fjalimin e tij kreu i Aleancës për SHqiptarët Ziadin Sela.
Në konventën promovuese në Tetovë folën edhe bartësit e listave të koalicionit “Tash është koha”, Surija Rushidi, Bekim Tateshi, Valbona Reka e Skender Rexhepi./AlbMania/