Sela: Kushti i BE-së që Maqedonia e Veriut nuk e realizoi është shteti i të drejtës!

 Sela: Kushti i BE-së që Maqedonia e Veriut nuk e realizoi është shteti i të drejtës!

Ziadin Sela, sonte në ‘Studio e Hapur’, ka bërë të ditur edhe një herë qëndrimet e tij. Ai ka theksuar që në anketat e shumta, e sidomos në ato që janë bërë tek shqiptarët, me një masë të gjërë të vetëm shqiptarëve, Aleanca për Shqiptarët është në rejting më të lartë se sa Bashkimi Demokratik për Integrim. Strukturën e BDI-së, lideri i opozitës e ka quajtur si një strukturë të mashtrimit, vjedhjes dhe manipulimit.

Duke kritikuar gjithashtu kryetarin e BDI-së, Ziadin Sela ka thënë, se ai po sillet si një ministër apo zëvendëskryeministër duke përuruar rruga të asfaltuara nëpër disa fshatra, ndërsa pozita e tij është vetëm deputet dhe një gjë të tillë nuk ja lejon ligji. Sipas Selës, duhet të ndryshohet pozita e zëvendëskryeministrave, dhe të jetë vetëm një zëvendëskryeministër i cili do të jetë lideri i partisë shqiptare që do të fitojë shumicë.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, ka pasur kritika të forta edhe për kryeministrin Zoran Zaev. Ai politikat e këtij të fundit, i ka cilësuar si një mënyrë e vjetër, e përdorur nga Nikolla Gruevski për ti manipuluar shqiptarët dhe partitë e tyre. Gjithashtu Sela pati kritika dhe për mos marrjen e datës për hapjen e negociatave, sipas tij, reformat në drejtësi kanë qenë një mangësi e madhe e kësaj Qeverie. Prokuroria publike dhe ajo speciale, sipas Selës kanë qenë në dorë të politikës, dhe në përgjime BDI-ja dhe VMRO-ja ishin në vijë të njejtë të krimeve, ndërsa pastaj BDI-ja brenda natës u kthye në drejtësi për Zaevin.