Shaw luajti për Anglinë në Evropian me brinjë të thyer

 Shaw luajti për Anglinë në Evropian me brinjë të thyer

Te skuadra e Manchester Unitedit po dëshirojnë të vlerësojnë aftësinë fizike të mbrojtësit të krahut të majtë, Luke Shaw për fillimin e sezonit të ri, pasi ai luajti për Anglinë në Kampionatin Evropian me brinjtë të thyer. Mbrojtësi i Anglisë pësoi dëmtimin në ndeshjen e 1/8 së finales kundër Gjermanisë, por ai luajti përmes bllokadës së dhimbjes për të ndihmuar ekipin e përzgjedhësit Gareth Southgate të arrijë në finale të “Euro 2020”.

Mendohet se trajneri i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer dhe stafi i tij do të preferonin që Shaw të kthehej menjëherë në qendrën stërvitore “Carrington” për skanime për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, por lojtarëve të përfshirë në finalen e nëntë ditëve më parë u dhanë pushime shtesë dhe ata ende nuk janë bashkuar me klubet e tyre për fazën përgatitore.

Solskjaer tashmë pritet të jetë pa sulmuesin Marcus Rashford për fillimin e sezonit 2021/22, pasi duhet t’i nënshtrohet një operimi në shpatull.

Shaw luajti i dëmtuar për të ndihmuar Anglinë të arrijë në finale dhe ai shënoi golin e epërsinë ndaj Italisë, ndërsa anglezët u përpoqën ta fitonin turneun e tyre të parë të madh që nga viti 1966 kur triumfuan në Kampionatin Botëror.

Unitedi dëshiron të vlerësojë gjendjen e Shawit para se të përcaktohet se në cilin fazë përgatitore para fillimit të sezonit, ai do të jetë në gjendje të luajë. Ai aktualisht është me pushime në Greqi pasi iu dha një pushim pas Evropianit. Unitedi i filloi përgatitjet para sezonale me një ndeshje miqësore kundër Derby Countit që e zhvilloi fundjavën e shkuar.

Humbja e Shawit për sezonin e ri, do të ishte një goditje e madhe për Solskjaerin. Forma e mirë e 26-vjeçarit sezonin e kaluar e pa atë të kthehej në skuadrën e Anglisë përpara se të bëhej një nga lojtarët kryesorë të Southgatet në “Euro 2020”.

Vetë Shaw pranoi se nuk kishte gjasa që ai do të ishte përfshirë në Kampionatin Evropian pa u shtyrë turneu për një vit shkaku i pandemisë së koronavirusit. Sidoqoftë, ai e shfrytëzoi rastin dhe e la në bankën e rezervistëve Ben Chilwellin në krahun e majtë të mbrojtjes tek Anglia në Evropian.

Verën e kaluar, Unitedi e transferoi mbrojtësin e majtë, brazilianin Alex Telles. Ardhja e tij nga Porto shtoi konkurrencën për Shawin, i cili u përmirësua në mënyrë dramatike gjatë gjithë sezonit.

Southgate filloi me Kieran Trippierin në krahun e majtë në ndeshjen e parë të Evropianit kundër Kroacisë, por Shaw ishte titullar i padiskutueshëm më pas në çdo ndeshje, deri në finale. Ai u zëvendësua vetëm në ndeshjen kundër Ukrainës në çerekfinale, të cilën e fitoi Anglia me rezultatin 4:0. Në gjashtë ndeshje të luajtura në Evropian, Shaw realizoi një gol.