Shpenzime marramendëse nga koordinatorët e Haradinajt që sot i shkarkoi Albin Kurti

 Shpenzime marramendëse nga koordinatorët e Haradinajt që sot i shkarkoi Albin Kurti

Për shpenzime në tryezë të bëra gjatë 16 muajsh, atij i janë përshkruar 22,170.20 euro

Prej kur është emëruar koordnatorë nacional për kulturë, drekat e shtruara nga Rexhep Hoti i kanë kushtuar buxhetit të shtetit të Kosovës mesatarisht nga 1,400 euro për çdo muaj. Për shpenzime në tryezë të bëra gjatë 16 muajsh, atij i janë përshkruar 22,170.20 euro.

Ai së bashku me katër të punësuar në zyre, për këtë periudhë i kanë harxhuar buxhetit të shtetit 66,177.55 euro, shumë kjo e shpenzuar pa llogaritur pagat e tyre.

Shpenzime kanë bërë edhe katër koordinatorët tjerë nacionalë: Besnik Tahiri, Mendim Rugova, Avdulla Hasani dhe Fatos Makolli. Por , jo në nivelin e Hotit.

E dhëna ndodhet në një pasqyrë shpenzimesh që Zyra e Kryeministrit e ka vënë në dispozicion, pas një kërkese për qasje në dokumente publike.

Koordinatori nacional ishte pozitë e shpikur në mandatin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai kishte emëruar pesë koordinatorë, pozitat e të cilëve ishin të barasvlershme me ato të ministrit. Sot, në mbledhjen e dytë prej se kryeministër është bërë Albin Kurti, janë revokuar vendimet për emërim koordinatorësh nacionalë.

Hoti kishte marrë këtë pozitë në maj të vitit 2018. Prej atëherë e deri në shtatorin e 2019-s, shpenzimet e tij dhe të katër anëtarëve që i kishte në kabinet, kanë mbërritur në 66,177.55 euro. Në to nuk janë përfshirë edhe pagat dhe as shpenzimet e telefonit.

Mbështetur në pasqyrën e shpenzimeve, Hotit i janë përshkruar 42,644.15 euro harxhime. Nga to, mbi 4 mijë euro ka realizuar mëditje për vizita jashtë vendit, mbi 10 mijë euro është kostoja e akomodimit në hotele, ndërsa figuron të jenë harxhuar vetëm 671.98 euro për bileta avioni. Krahas këtyre, janë edhe 4 mijë euro shpenzime që i janë përshkruar atij, dhe arsyet e harxhimit nuk janë treguar. Ai ka harxhuar edhe mbi 1,500 euro nga kredit kartela. E, shpenzime më të mëdha i ka bërë në dreka – janë 22,170.20 euro që ka çuar në to prej majit të vjetëm e deri në shtatorin e 2019-s.

Në kabinet Hoti ka pasur katër anëtarë.

Arbenita Bungun e ka pasur në zyre. Ajo ka shpenzuar mbi 8 mijë euro, prej të cilave mbi 3 mijë euro ka realizuar mëditje, rreth 3 mijë euro ka kushtuar akomodimi gjatë vizitave jashtë Kosovës, rreth 1,500 euro ka paguar për bileta avioni, ndërsa gati një mijë euro ka bërë shpenzime për të cilat nuk është dhënë ndonjë justifikim se për çka janë harxhuar.

Mentor Gashi rangohet i dyti për kah shpenzuesit në zyrën e Hotit. Ai ka harxhuar rreth 6 mijë euro. Nga to, mbi 2 mijë euro i kanë shkuar atij si mëditje, mbi 2 mijë euro të tjera është fatura e akomodimit gjatë vizitave jashtë dhe mbi 800 euro është shpenzimi për bileta avioni.

Dy anëtarët tjerë në zyrë, kanë shpenzuar më pak – Yllnorë Shala diçka mbi 2 mijë euro, kurse Gëzim Zeqiri vetëm 310.50 euro.

Në total, Hoti me kabinetin katëranëtarësh kanë shpenzuar për 16 muaj 59,131.08 euro. Nga to, rreth 10.500 euro kanë shkuar në mëditje, rreth 17 mijë euro për akomodim, rreth 3 mijë euro është fatura e aviobiletave, ndërsa mbi 5 mijë euro rezultojnë të jenë shpenzime të pajustifikueshme. Përpos mbi 22 mijë eurove që janë çuar në dreka, për udhëtime brenda Kosovës janë shpenzuar 6,074.55 litra karburante që, bazuar në çmimin aktual të tregut, bëjnë mbi 7 mijë euro.

Shpenzime më të vogla se ky kanë bërë koordinatorët tjerë.

Besnik Tahiri ishte emëruar në marsin e 2018-s Koordinator nacional për reforma shtetërore. Prej atëherë e deri në shtatorin e 2019-s, ai ka shpenzuar 12,135.12 euro. Nga to, 1,616.96 euro i ka realizuar si mëditje, 1,943.00 euro ka kushtuar akomodimi gjatë vizitave jashtë vendit, 3,750.70 euro janë shpenzime për të cilat nuk është treguar se ku janë harxhuar, ndërsa 483 euro figurojnë të kenë kushtuar për të biletat e avionit. Megjithëkëtë, gazeta ka parë se në disa fatura të biletave që i janë përshkruar ish-kryeministrit Haradinaj, figuron edhe emri i Tahirit, e për rezultat shpenzimet e kësaj linje janë më të mëdha. Tahiri rezulton të ketë shpenzuar në dreka vetëm 840.70, shumëfish më pak sesa kolegu i tij Hoti. Janë harxhuar edhe 2,894.29 litra karburante për qarkullim brenda Kosovës, që kthyer në vlerë monetare i bie të jetë shpenzuar për to 3,357.37 euro.

Në zyrë, Tahiri i ka pasur edhe Ilir Baldedajn dhe Mrika Thaçin, por atyre nuk u është përshkruar ndonjë shpenzim.

Mendim Rugova ishte zgjedhur koordinator, të njëjtën ditë me Hotin. Ky ishte caktuar koordinator nacional për ambientin. Atij i janë përshkruar vetëm 3,762.90 euro shpenzime për dreka dhe 2,221.97 litra karburante, kostoja e të cilave është rreth 2,577 euro. Kësisoj, shpenzimet e tërësishme mbërrijnë në 6,340 euro, dhjetë fish më pak sesa ato të Hotit.

Rugova i ka pasur në zyre edhe Avni Hotin, Elbasan Bytyqin dhe Qefser Bahollin. Atyre nuk iu figuron ndonjë shpenzim.

Avdulla Hasani ishte emëruar koordinator nacional për gjeneratën e re. Atij i janë përshkruar vetëm 132.30 euro për dreka dhe 1,134.01 litra karburante të shpenzuara, vlera e tregut të të cilave është 1,315.45 euro. Kësisoj, gjithsej shpenzime të bëra nga ai janë 1,447.75 euro. Zyra e Kryeministrit nuk ka listuar ndonjë të punësuar në kabinetin e Hasanit.

Fatos Makolli ishte emëruar koordinator nacional kundër ekstremizmit dhe terrorizmit në Kosovë. Atij i janë listuar shpenzime 329 euro gjithsej, dhe që të gjitha figurojnë si mëditje të realizuara. Kësaj shume i shtohen edhe 679 litra karburante që bëjnë 787.64 euro. Në total shpenzimet e tij mbërrijnë në 1,473.64 euro.

Ai ka pasur edhe të punësuar në zyre. Mimoza Hasani ka realizuar 312 euro mëditje dhe 45 euro shpenzime për akomodim gjatë vizitave jashtë vendit. Ndërkaq, tek Rinor Gecaj nuk është parë ndonjë shpenzim. Kësisoj, të gjitha shpenzimet e këtij koordinatori shkojnë në 686 euro.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com