Shqipëri, dy familje me 10 anëtarë përcillen për në banesën e fundit

 Shqipëri, dy familje me 10 anëtarë përcillen për në banesën e fundit

Ka shkuar në 49 numri i viktimave nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit në Shqipëri ndërsa mbi 900 të tjetër janë të lënduar. Ndërkohë vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në hotelin “Mira Mare” në Durrës pasi dyshohet për një tjetër person nën rrënoja. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Thumanë dhe disa nga zonat e saj tashmë është mbyllur kërkimi nën rrënoja. Një orë pas mesditës, i është dhënë lamtumira e fundit të gjithë viktimave të Thumanës, në mesin e të cilave u shuan edhe dy familjet Cara dhe Greku, pasi fatkeqësisht pallatet e tyre u rrënuan plotësisht.

Kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë, Durrës dhe Laç, aty ku situata është më dramatike. Rama në mbledhjen e sotme të mëngjesit bëri një paraqitje të dëmeve që janë konstatuar deri më tani. Në Durrës ka 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara, 176 pallate të dëmtuara. Në Tiranë janë 15 banesa të shkatërruara, 239 të dëmtuara, 8 pallate janë jashtë përdorimit si dhe 61 pallate të dëmtuara rënda. Ndërkohë, mediat raportojnë se edhe në Shijak në lagjen “Luginë” janë mbi 15 pallate të shpallur të pabanueshëm.

Në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra, për ta ka filluar transporti nga kampet për në hotele në Shëngjin. Deri tani janë transportuar 16 familje me 64 persona, por siç e kemi diskutuar,sot qoftë çadrat në Thumanë,në Laç të ngrihen, të largohen dhe të gjithë banorët të spostohen në hotele- tha Rama.

Brenda vitit 2020, Rama tha se nuk duhet të ketë më asnjë diskutim për të gjithë ata persona që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti. Sipas Ramës, të njejtat do të ndërtohen e rregullohen më mirë seç ishin.

Do të kenë të gjithë kushte më të mira se që kishin para tërmetit. Nuk I kthejmë jetën dot atyre..Por, ne kemi detyrë që atyre të cilët humbën shtëpinë tu japim kushte më të mira nga ato që I kishin kur ishin në shtëpi, kur të kthehen. Nesër, unë dua që të marim vendimin e parë për familjet të cilat kanë humbur njerëzit- shtoi ai.

Organizata “Save the Children” ka raportuar se rreth 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmetit të së martës në Shqipëri. Ata janë të trembur dhe të shqetësuar dhe përveç tendave, shtretërve, batanijeve dhe mjeteve të higjienës personale, kanë nevojë edhe për mbështetje emocionale dhe mendore. Të paktën 4 fëmijë janë mes viktimave të deritanishme të tërmetit.

Sot është mëngjesi i katërt pas tragjedisë dhe shqiptarët vijojnë të jenë në panik, pasi lëkundjet e tokës vazhdojnë, disa prej të cilave të forta./Alsat/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com