Shqipëria gati për betejën në Stamboll

 Shqipëria gati për betejën në Stamboll

Ndeshja e vështirë ndaj Turqisë do të dëshmojë nëse Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është në rrugën e duhur. Kështu ka thënë të enjten mbrëma në konferencë për shtyp përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja. Ndeshja Turqi – Shqipëri zhvillohet të premten (sot, 20:45) në Stamboll.

Shqipërisë i duhet vetëm fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në “Euro 2020”. Në të vërtetë Shqipëria nuk ka shumë gjasa dhe përzgjedhësi Reja nuk e ka përmendur kualifikimin. Pas gjashtë ndeshjeve, Shqipëria renditet e katërta me 9 pikë. Prijnë Turqia e Franca me nga 15 pikë, ndërsa pas tyre është Islanda me 12 pikë.

Kombëtares i mungojnë lojtarë të rëndësishëm për ndeshjen në Stamboll, por Reja nuk është shprehur i brengosur. Në hapje të eliminatoreve, më 22 mars, Turqia kishte fituar 2:0 në Shkodër. Reja vlerëson se kombëtarja është rritur ndjeshëm prej atëherë dhe kjo shpreson se do të dëshmohet në Stamboll./Koha.net/