Shqipëria nis rimëkëmbjen pas tërmetit, deri më 15 dhjetor do të bëhen me shtëpi familjet e prekura

 Shqipëria nis rimëkëmbjen pas tërmetit, deri më 15 dhjetor do të bëhen me shtëpi familjet e prekura

Deri më 15 dhjetor do të bëhen me shtëpi të gjithë të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili goditi Shqipërinë. Kështu ka njoftuar kryeministri shqiptar Edi Rama. Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimin për ndërtesat e dëmtuara, shkruan gazeta Zëri.

Është bërë një javë prejse Shqipëria u godit nga tërmeti me magnitudë 6.4 ballë të Rihterit, i cili la të vdekur 52 qytetarë, qindra të lënduar e mijëra të tjerë pa kulm mbi kokë, megjithatë kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se deri më 15 dhjetor do të bëhen me shtëpi të gjithë ata që tash e një javë janë akomoduar nëpër hotele ose tek të afërmit. Ai po ashtu njoftoi se çdo muaj do t’u jepet ndihmë financiare të mbijetuarve të tërmetit, që la të shkatërruara disa zona të Shqipërisë. Shteti shqiptar deri tani ka pranuar ndihma të shumta nga shtetet mike, ndërsa dje u bë e ditur se Turqia përfundimisht do t’i bëjë me shtëpi 500 familje të prekura nga tërmeti. Ndërkohë në Durrës e në Tiranë prokuroria e vendit ka filluar hetimet për ndërtimet që u dëmtuan nga tërmeti. Sipas prokurorisë para ligjit do të dalin të gjithë ata që bënë shkelje.

Shtëpi dhe pensione mujore për të prekurit nga tërmeti

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar se të gjitha familjet, të cilat janë të prekura nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, do të jenë me shtëpi deri më 15 dhjetor. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama ka lajmëruar për të dhënat më të reja, sa u përket njerëzve që kanë rënë viktimë e këtij tërmeti, duke thënë tutje se aty ku shumë njerëz humbën jetën dhe të tjerë u lënduan do të ndërtohet një çerdhe.

Ndër të tjerash Rama ka bërë të ditur se për personat të cilët kanë mbetur të vetëm do të ndahen 100 mijë lekë të reja në muaj. “Maksimumi më 15 dhjetor të gjithë do të jenë në shtëpi të re me 1 milion lekë të reja në dorë. Trajtim të posaçëm shtetëror 100 mijë lekë të reja në muaj për gjithë jetën atyre që kanë mbetur fillikat”, ka thënë ai.

Po ashtu Rama bëri të ditur se pension të posaçëm me 60 mijë lekë të reja në muaj do të marrin edhe të moshuarit, ndërsa bursë 15 mijë lekë në muaj do të përfitojnë nxënësit e studentët deri në fund të studimeve.

Shkatërrimi nga tërmeti, prokuroria nis hetimet për ndërtimet e dëmtuara

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thirrur mëngjesin e së hënës mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë mbledhje morën pjesë udhëheqësit e institucioneve kryesore të vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale presidenti Meta bëri me dije se në mbledhjen e KSK-së u diskutua për një bashkëveprim dhe për një koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. “E mbështetëm prokurorinë t’i çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. T’i sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkruan presidenti.

Në anën tjetër bëhet e ditur se prokuroria e Durrësit dhe ajo e Tiranës kanë regjistruar mëngjesin e së hënës çështjen penale, e cila i referohet tërmetit të 26 nëntorit. Të dy prokuroritë po hetojnë nëse pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe të personave përgjegjës, si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është ngritur për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”. Ndërkohë grupe ekspertësh të huaj të thirrur nga qeveria po vijojnë të vijnë për të ndihmuar në procesin e vlerësimit teknik të ndërtesave, ndërsa ato që përbëjnë rrezik kanë nisur të shemben qëllimisht nga autoritetet. Deri më tani rezultojnë të jenë afër nëntë mijë qytetarë të prekur nga tërmeti. Mbi 2300 janë sistemuar nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje, ndërsa mbi 4800 të tjerë janë strehuar pranë të afërmve të tyre. Mbi 900 banorë janë ende në çadrat e ngritura nëpër lokacione të ndryshme, ndërsa mbi 800 po qëndrojnë në qendrat sociale.

Haradinaj: Të tregohet kujdes me të ardhurit nga Shqipëria

Pas tërmetit, i cili goditi Shqipërinë më 26 nëntor, ende nuk dihet saktësisht numri i personave të ardhur nga ky shtet dhe që kanë hyrë në territorin e Kosovës. Tërmeti la shumë familje nën qiell të hapur dhe shumë prej tyre si zgjidhje kanë parë Kosovën. Familjet kosovare janë shprehur të gatshëm t’i mbajnë nëpër shtëpitë e tyre, duke u ofruar strehim, veshmbathje e ushqim, ndonëse një pjesë e tyre janë rikthyer në Shqipëri të dielën për t’i parë shtëpitë e tyre.

Ndërkaq kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët, shoqëria civile, por edhe nga subjektet politike që të tregohet kujdes me personat e ardhur nga Shqipëria, të cilët kanë hyrë në territorin e Kosovës pas tërmetit të 26 nëntorit. “Çdo shtetas i Shqipërisë, i cili hyn në territorin e Kosovës, nuk do të mbetet pa strehë, por nuk është në rregull një zhvendosje pa kritere e njerëzve që vijnë nga zonat, të cilat nuk janë prekur nga tërmeti. Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët, po i sjell në kushte të vështira… është dimër, nuk është në rregull. Keqpërdorimi i kësaj gjendjeje nuk është në rregull, duhet pasur kujdes”, ka thënë ai.

Haradinaj më pas u bëri thirrje qytetarëve nga zonat e paprekura nga tërmeti në Shqipëri që të mos të vijnë në Kosovë. Ai tha se bëhet fjalë për atë kategori të qytetarëve, të cilët pretendojnë se nëse vendosen në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren mund të dërgohen në shtetin e Gjermanisë. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë.

Ndërkohë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një vizite në Parkun Inovativ në Prizren, ku janë të vendosur rreth 500 persona të prekur nga tërmeti, ka thënë se aty po plotësohen të gjitha nevojat elementare dhe se shumë shpejt ky kamp do të ketë edhe kuzhinën, në të cilën do të gatuhet ushqim i freskët. “Të gjitha nevojat elementare janë duke u plotësuar. Ndonëse çdo ditë ushqimi është duke u shtruar nga humanitarë zemërgjerë, në hapësirat e kampit shpejt do të hapet edhe kuzhina ku do të gatuhet ushqim i freskët për refugjatët. Ish-hapësira e KFOR-it gjerman, sot Park Inovativ, edhe pse nuk mund ta ketë ngrohtësinë e shtëpisë, po ia del mbanë që mërzinë ta zbusë. Në emër të organizatës sonë i falënderojmë të gjithë për punën që po e bëjnë”, tha ai.

Cakaj falënderon FSK-në: Humanizëm i lartë dhe profesionalizëm mbresëlënës

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka falënderuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për kontributin e dhënë në Shqipëri pas tërmetit. Ai në një reagim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook” ka shprehur falënderimet dhe konsideratat e tij më të larta për të gjitha shtetet e organizatat që qëndruan afër Shqipërisë, që prej orëve të para pas tërmetit. Veçanërisht Cakaj shprehet mirënjohës për përkushtimin e pakrahasueshëm, për humanizmin e lartë, për atdhedashurinë më të thellë dhe për profesionalizmin mbresëlënës të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ai u shpreh se shërbimi i FSK-së gjatë këtyre ditëve me vështirësi të shumta e me dhimbje të pafundme në Shqipëri do të kujtohet gjithmonë me vlerësimin më të lartë. “Në fakt gjatë këtyre ditëve me vështirësi të shumta e me dhimbje të pafundme e gjithë Kosova ka dhënë shembullin e një solidariteti të paparë njerëzor dhe ka dëshmuar absolutisht trajtën më të thellë të bashkëndjenjës kombëtare”, ka shkruar Cakaj ndër të tjera.

Turqia do t’i ndërtojë 500 shtëpi në Shqipëri

Ambasada Turke në Tiranë ka njoftuar se është zhvilluar takimi i dytë mes palës turke dhe shqiptare pas udhëzimit të presidentit Recep Tayyip Erdoëan për ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri pas pasojave shkatërrimtare, që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Në takim u vendos të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 banesat, të cilat do të ndërtohen, bën me dije Ambasada. “Delegacioni ynë i përbërë nga Drejtoria e Administrimit dhe e Banesave Publike, i kryesuar nga ambasadori Yörük, në zbatim të udhëzimit të presidentit Recep Tayyip Erdoëan për ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri, zhvilloi takimin e dytë me delegacionin shqiptar të kryesuar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti. Në takim u vendos të përcaktohet toka e përshtatshme për 500 shtëpi, të cilat do të ndërtohen”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Turke.

Ndërkohë kujtojmë se Shqipërinë e kanë ndihmuar edhe shumë shtete të tjera, duke dërguar shuma të mëdha të parave për ndërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. /ZERI/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com