Shqiptarët e Luginës së Preshevës firmosin marrëveshjen në Tiranë: Me një listë në zgjedhjet parlamentare në Serbi

 Shqiptarët e Luginës së Preshevës firmosin marrëveshjen në Tiranë: Me një listë në zgjedhjet parlamentare në Serbi

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim, në Tiranë, përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës.

Ky takim kishte në fokus diskutime që lidhen me krijimin e një liste të përbashkët të partive shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. Kjo listë, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Në përfundim të takimit, palët nënshkruan “Marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.

Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës, shkruan TCH. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje duke theksuar:

“Sot përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë dhënë shembullin më të vyer e domethënës se si shumë dallime partiake mund të artikulohen brenda vetëm një qëndrimi kombëtar.” Sa i takon funksionit që do të ketë kjo marrëveshje Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh: “Kjo listë do të ketë funksion të pazëvendësueshëm në ngritjen e një vargu të gjerë shqetësimesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore.” Ai vijoi fjalën e tij, duke siguruar se shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, në të njëjtën kohë, janë edhe shqetësime të Qeverisë së Shqipërisë. Prandaj, Cakaj shprehu se Qeveria e Shqipërisë do të angazhohet pakursyer për të mbështetur listën e përbashkët të Luginës së Preshevës e afirmuar parimet politike të saj. “Bashkimi sot iu shërben qytetarëve të Luginës, por edhe shqiptarëve kudo që janë.” – përfundoi Kreu i diplomacisë fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp.(INA)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com