Sot voton Kosova

 Sot voton Kosova

Sot nga ora 07:00 deri në ora 19:00, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit.

Në këto zgjedhje të parakohshme, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 qytetarë, nga të cilët 87,180 janë votues të rinj që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve lokale 2017, raporton Koha.net.

Për këto zgjedhje, nga KQZ-ja janë certifikuar 25 subjekte (20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur).

Gjithsejtë do të hapen 895 qendra të votimit me 2 mijë e 547 vendvotime.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një grup i më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile të cilët janë bashkuar në koalicionin “Demokracia në Veprim (DNV)”, të cilët do të jenë të pranishëm në të gjitha qendrat e votimit në vend.

Procesi zgjedhor i 6 tetorit do të vëzhgohet edhe nga një mision i gjerë i Bashkimit Evropian. Rreth 30 vëzhgues dhe analistë të këtij misioni janë vendosur në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator.

Njëjtë si herëve të kaluara edhe në këto zgjedhje, në total do të jenë rreth 100 vëzhgues, nga shtetet anëtare të BE-së që do të vëzhgojnë procesin e votimit dhe numërimit më 6 tetor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës do të kujdeset për mbarëvajtjen procesit si dhe transportimin e materialit zgjedhor.

Për të siguruar një proces të drejtë zgjedhor rol të rëndësishëm ka edhe Prokuroria e Shtetit, institucion ky që ka caktuar 100 prokurorë kujdestarë në nivel vendi për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 6 tetorit u shpallën pasi me 19 korrik të këtij viti, asokohe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga kjo pozitë me arsyetimin se ishte ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com