Specialja zbulon diçka që nuk ishte ditur më parë për Thaçin dhe ai e kishte mbajtur të fshehur – AlbMania          

Specialja zbulon diçka që nuk ishte ditur më parë për Thaçin dhe ai e kishte mbajtur të fshehur

 Specialja zbulon diçka që nuk ishte ditur më parë për Thaçin dhe ai e kishte mbajtur të fshehur

Ish-Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, më 12 dhjetor të vitit 2019, është intervistuar për herë të parë në Hagë, nga Zyra e Prokurori të Specializuar për Kosovën.

Më 8 korrik 2020, Hashim Thaçi njoftoi se pas 5 ditësh, më 13 korrik 2020, do të udhëtojë për në Hagë, për tu paraqitur për intervistim nga Prokurorët dhe hetuesit tjerë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën.

E ky intervistim për krime lufte ndaj ish-eprorit të UÇK’së zgjati tre ditë, në Hagë. E gjitha ndodhi vetëm disa javë pasi Gjykata Speciale njoftoi se ndaj ish-Presidentit kosovar Haga ka ngritur një aktakuzë, e cila atëkohë ishte në pritje të konfirmimit ose jo nga ana e një gjyqtari francez të procedues penale të Dhoma të Specializuara për Kosovën.

Por ky rast, del të mos jetë hera e parë kur Hashim Thaçi, që aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, të jetë intervistuar nga Gjykata Speciale.

Dokumenti i kërkesës së Zyrës së Specializuar të amerikanit Jack Smith për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve tjerë të UÇK’së, i 28 Majit 2020, por që u bë publik tek para tre ditësh, zbulon kohen se kur ish-Presidenti i Kosovës ishte ftuar dhe intervistuar për herë të parë nga Haga.

Në këtë dokument, Zyra e Prokurorit të Specializuar, tek referencat, në fund të faqes së 4 të kërkesës për urdhër-arrest 22 faqesh gjithsej, thekson se Thaçi për herë parë nga Haga ishte ftuar për intervistim më 17 nëntor 2019.

E intervistimi i parë i Thaçit në Hagë, për krime lufte, zbulohet se ka ndodhur rreth një muaj pas, saktësisht më 12 dhjetor të vitit të shkuar.

“THAÇIT në fakt ZPS i kishte dorëzuar një ftesë më 17 nëntor 2019, dhe ai ishte paraqitur në Hagë për intervistë më 12 dhjetor 2019”, thotë referenca numër 22 e dokumentit në fjalë.

E më lartë, i njëjti dokument, i nënshkruar në fund nga Kryeprokurori i ZPS’së, Jack Smith, pretendohet se “Thaçi gënjeu publikisht për shkallën e përfshirjes së tij personale me ZPS”.

Në datën kur Haga pretendon se ka intervistuar ish-kreun e vendit, Hashim Thaçi ishte paraqitur në Prishtinë. Të paktën në disa fotografi që i kishte shpërndarë vetë ai në facebook ku njoftonte se po atë ditë, në Zyrën e tij, e ka dekoruar Fehmi Shaqirin me çmimin “Mjeshtër i Merituar”.

Derisa, një ditë pas Hashim Thaçi, më 13 dhjetor 2019, ishte lajmëruar nga Principata e Monacos, në hapjen e forumit vjetor ndërkombëtar “Paqja dhe Sporti”, dhe në Pallatin Principal, përkrah Princit Albert II, i shoqëruar nga atëkohë Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Po atë ditë, ish i pari i vendit, kishte ndryshuar datën e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë së Kuvendit të Kosovës. Kjo, sipas njoftimit të Presidencës, ishte bere pas kërkesës së shumicës së partive politike, pasi data e paracaktuar 24 dhjetor lidhej me pushimin për festën e Kërshëndellave, ndaj “Thaçi kishte vendosur që Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ta thërras më datën 26 dhjetor, në orën 15:00”.

Ndryshe, më 5 nëntor të këtij viti, Hashim Thaçi njoftoi se Haga i ka konfirmuar aktakuzën e ngritur për krime lufte, ndaj edhe u dor hoq nga posti i Presidentit të Kosovës.

Të njëjtën ditë, ai bashkë me dy të akuzuarit tjerë Kadri Veselin e Rexhep Selimin u dorëzuan në EUELX, për tu transferuar pastaj për në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Një ditë para tyre, në Hagë u transferua edhe Jakup Kransiqi, ish-zëdhënësi i UÇK’së, i cili u arrestua në shtëpinë e tij.

Në faqen e ZPS dhe DHSK’së, njoftohet se aktakuza kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Ish-eprorët e UCK’së akuzohen në gjashtë pika të akuzave për Krime kundër Njerëzimit, si: Përndjekje (Pika 1); Burgosje (Pika 2); Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4); Torturë (Pika 6); Vrasje e paligjshme (Pika 8); Zhdukje me forcë e personave (Pika 10).

Po ashtu, në aktakuzën e konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës për Kosovën, Thaçi dhe të tjerët akuzohen edhe për katër pika të akuzave për Krime Lufte: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3); Trajtim mizor (Pika 5); Torturë (Pika 7); dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9)./BS/