Taravari zero tolerancë ndërtimeve ilegale në Gostivar

 Taravari zero tolerancë ndërtimeve ilegale në Gostivar

Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari me përgjegjësit e urbanizimit konstatojnë devijim nga plani gjatë ndërtimit të banesave kolektive, investitorëve u jep afat brenda një jave vetë t’i prishin pjesët shtojcë.

Gjatë ditës së sotme, kryetar i komunës së Gostivarit, Arben Taravari së bashku me udhëheqësin e Sektorit të urbanizmit dhe inspektorët e autorizuar dolën në terren për të ndjekur nga afër situatën me ndërtimin e banesave kolektive në Gostivar. U konstatua se në dy raste kemi të bëjmë me devijim nga leja e punës, respektivisht se ndërtohet përtej gabaritit të përcaktuar me planet detaje urbanistike në fuqi.

Me këtë rast, kryetari Taravari rikonfirmoi se i mbetet besnik qëndrimit se nuk do të tolerojë aspak ndërtime të egra, duke u dhënë afat investitorëve që brenda një jave gabaritin e objekteve ta kthejnë në përputhje me lejen e ndërtimit. “Siç kam theksuar disa herë, toleranca ndaj ndërtimeve të egra do të jetë zero. Ne sot hasëm dy raste ku ndërtohet përtej lejes së ndërtimit, respektivisht mbi gabaritin e lejuar.
Investitorët kanë afat një javë që t’i prishin ndërtimet shtojcë dhe objektin të vazhdojnë ta ndërtojnë në përputhje me lejen për ndërtim. Në të kundërtën, ne do të veprojmë”, ishte i prerë kryetari Taravari.

Komuna e Gostivarit apelon deri te të gjithë investitorët që gjatë ndërtimit t’i përmbahen strikt lejes, rregullave dhe strandardeve, ndërsa qytetarët i inkurajon që rastet e ndërtimeve të egra t’i denoncojnë para organeve.(INA)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com