Të arratisurit, përgjegjës kryesorë për përgjimet, Verushevski akuzon PPS-në, amniston Mijallkovin

 Të arratisurit, përgjegjës kryesorë për përgjimet, Verushevski akuzon PPS-në, amniston Mijallkovin

Të arratisurit Nikolla Gruevski, Goran Grujevski, Nikolla Boshkovski janë fajtorët kryesorë për përgjimin e paligjshëm të komunikimeve gjatë viteve 2008-2015. Kështu tha gjatë dëshmisë së tij Zoran Verushevski, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Në dëshminë e tij Verushevski pohoi se dokumentacionin bazik, gjithë vëllimin dhe strukturën e plotë të bombave e posedojnë personat të cilët janë në arrati.

“Këto dokumente që i posedon Prokuroria Publike Speciale është vetëm një pjesë e vogël nga ajo që kanë këto 3 persona. Posedojnë edhe dokumentacion tjetër që nuk është pjesë e kësaj lënde. Vetëm një Zot e di se çka tjetër posedojnë ata”, u shpreh Zoran Verushevski, dëshmitar.

Gjatë pyetjeve të prokurores Lençe Ristoska, Verushevski, ndër të tjera fajësoi edhe PPS që nuk ka siguruar prezencën e të arratisurve në seancën, sepse , sipas tij, tek ata është e gjithë e vërteta për përgjimet. Verushevski tha se i akuzuari i parë në këtë lëndë duhet të jetë Nikolla Gruevski dhe jo Sasho Mijallkov, sepse Gruevski ka organizuar projektin për ndjekje të komunikimeve nga dëshira për pushtet.

“Me të vërtetë është lëshim i PPS-së që ai person nuk është prezent në seancë tek i cili fshihen të gjitha përgjigjet. Ka 3 persona që nuk janë të pranishëm në shtet dhe që nuk kanë dëshirë që të jenë këtu”, tha Zoran Verushevski, dëshmitar.

Gjatë përfundimit të seancës, Verushevski nuk deshi të komentojë dëshminë e tij, por nëse është e nevojshme do të thërrasë konferencë për media që të sqaroje se çka ka thënë para gjykatësit. As Sasho Mijallkov nuk u ndal para kamerave të komentojë dëshminë e Verushevskit. Zoran Verushevski, sot duhej tu përgjigjej pyetjeve të të akuzuarit të parë, ish-shefit të DKSk-së Sasho Mijallko dhe avokatëve të tij, por pala e akuzuar nuk kishte pyetje për Verushevskin. Ndërkohë pritet që me 24 tetor në cilësinë e dëshmitarit të dëshmojë edhe kryeministri Zoran Zaev. Sipas akuzës të Prokurorisë Speciale, DSK nga viti 2008 deri në vitin 2015, ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë, pa urdhër nga gjykata./Tv21/