Tërstena: Kemi shumë sportistë, por nuk i kemi sukseset e sportistëve të mëparshëm

 Tërstena: Kemi shumë sportistë, por nuk i kemi sukseset e sportistëve të mëparshëm

Kampioni olimpik shqiptar Shaban Tërstena, në një intervistë për Telegrafi Maqedoni ka folur për sfidat e tij në rrugën drejt majave të sportit të mundjes, si dhe sportistët e sotëm shqiptar.

Në pyetjen për gjendjen e sportit sot në Maqedoni si dhe tek shqiptarët në përgjithësi, Tërstena tha se në kohën e tij edhe pse nuk ka pasur kushte të mira sukseset nuk kanë munguar.

“Ne shqiptarët në Maqedoni edhe pse jemi popull i vogël kemi histori të madhe, që nuk e kanë as Kosova e as Shqipëria. Sukseset tona janë të mëdha, duke pasur parasysh se kemi qenë të diskriminuar, të shtypur dhe me kushte të rënda. Vetëm unë kam fituar 20 medalje, por po ashtu edhe sportistët tjerë kanë pasur sukses të madh. Në Maqedoni jemi vetëm tre shqiptar që jemi fitues të medaljeve të lojërave olimpike. Është Shaban Sejdiu, Azis Saliu dhe unë. Do të thotë në ato kohë të vështira kemi fituar pesë medalje olimpike. Këtë nuk e kanë bërë as në Kosovë, e as në Shqipëri”.

“Ndërsa sot ku janë sportistët shqiptarë? Çdoherë arsyetohemi se na bëjnë padrejtësi, por edhe mua më është bërë padrejtësi. Cili shqiptar është shpallur sportist më i mirë në Maqedoni pas vitit 1991? Ka pasur nëpër komunat tona, por sportistë të Maqedonisë, nuk ka pasur asnjë shqiptarë. Kemi individë e sportistë, por sukseset e mëparshme sot nuk i kemi”, tha mes tjerash Tërstena.

Ai iu bëri thirrje sportistëve të rinj në Maqedoni që të punojnë më shumë, duke shtuar se sot janë të gjitha kushtet për arritje të suksesit.

Tërstena tha se ka talentë të shumtë në vend, por duhet më shumë punë.

Për më shumë ndiqeni në vijim videon e plotë.