Thirrja për Referendum, Meta: Të hënën do ju propozoj ide konkrete

 Thirrja për Referendum, Meta: Të hënën do ju propozoj ide konkrete

Të hënën, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta do të propozojë ide konkrete sa i takon Referendumit.
Në një postim të pak minutave më parë në Facebook, Presidenti shqiptarë Ilir Meta shkruan:

“Të dashur qytetarë!

Ja çfarë ka vendosur populli shqiptar në referendumin për Kushtetutën:
Neni 150

1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.

2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

U bënë 21 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues për të bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë direkte!

Por tani nuk ka më tolerim dhe as justifikime!

Kjo klasë politike di vetëm të thellojë krizat dhe të mos mbajë përgjegjësi. Ajo nuk e njeh dialogun politik, interesin publik dhe kombëtar. Ndaj tani çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve.

Çfarë e keqe e gjeti Zvicrën nga Referendumet?

Le të pushojmë sot e nesër dhe të hënën do ju propozoj ide konkrete për Referendumin!”