“Tryeza” e Ali Ahmetit – AlbMania          

“Tryeza” e Ali Ahmetit

 “Tryeza” e Ali Ahmetit

Nuk duhet lejuar që njerëz të papërgjegjshëm, të pa ditur, vjedhacak e hileqarë të shërbejnë si krahnicë e atyre që shqiptarët i shohin vetëm si numra dhe jo si qenie normale njerëzore. Shqiptarët duan drejtësi dhe ata u ngarkuan juve që ta sjellni drejtësinë dhe mirëqenien. Bëjeni realitet! Egjiptianët i largonin nga tryeza ata që kishin sjellje të papërgjegjshme, kurse Romakët ua merrnin të drejtën për të folur atyre që e nënçmonin Tryezën

Nga Bujar BAJRAMI

Në kohën e lashtë, grekët, si kopjues të mirë që ishin, adoptuan shumë gjëra nga civilizimi egjiptian, mes tjerash edhe Tryezën. Egjiptianët përdornin tryezën me një këmbë, nga ana tjetër – grekët për të bërë dallimin (sikur të ishin ata shpikësit e Tryezës), e modifikuan duke i shtuar asaj edhe dy këmbë të tjera. Por modifikimi i Tryezës do të vazhdonte edhe më tej, me romakët të cilët nga tre, e bënë me katër këmbë. Ndërkaq rusët, edhe pse që në shek. e X e kishin të njohur Tryezën, ata filluan t’ia gdhendnin këmbët duke ia përshtatur stilit të kohës. Me shfaqjen e shteteve evropiane, si shumë gjëra, edhe Tryeza filloi ti përshtatet botëkuptimit patriarkal dhe monarkik.

Pra, Tryeza u shndërrua në një kult të dashamirësve të mëdhenj të festave dhe të kuzhinës. Kështu, çdo civilizim Tryezën e përdorte sipas traditave dhe botëkuptimeve që ata kishin, për sembullh: në Rusi Tryeza vendosej zakonisht në mes të dhomave princërore ose kasolleve të fshatarëve. Kurse në Egjiptin e lashtë, Tryezat ishin të vogla dhe me një këmbë, madje kishte edhe të tilla në formë tabele që vendoseshin në prehër. Megjithatë, në Evropë – Tryeza do të pësonte modifikime si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Pra, filluan të prodhoheshin Tryeza në formë drejtkëndëshi, ku në krye të saj ishte çdoherë koka e fisit ose e shtetit dhe më tej, në rend zbritës, ishin persona të afërt më të parëndësishëm. Në çdo fis kishte kode strikte (tribalistike) të sjelljes në Tryezë. Mirëpo, epoka e Rilindjes, e udhëhequr nga mjeshtërit italianë, i dha njerëzimit një Tryezë të rrumbullakët. Ishte njëlloj simboli i demokracisë, ku nuk kishte as fillimin dhe as fundin e saj, as kokë e as familje të përulur. Secili që ulej kishte mundësi të vëzhgojë me lehtësi të gjithë bashkëbiseduesit. Secili ishte i barabartë me tjetrin.

Në të gjitha epokat historike të civilizimeve të ndryshme, Tryeza ishte simbol i dëfrimit, ushqimit dhe bashkëbisedimit. Shqiptarët e çuan edhe pak më tej, duke e kombinuar Tryezën me Sofrën, që me doket e fiseve të ndryshme, përdorej si mjet solidarizimi pasi në Odat e tyre të merreshin vendime të mëdha si falje gjaqesh, zgjidhje problemesh ndërfisnore, planifikime strategjike kundrejt okupatorëve të asaj kohe etj.

Pra, asnjëherë Tryeza nuk është përdorur si mekanizëm për të zhvilluar mbledhje komemorative për të përkujtuar vendime “historike”. Çuditërisht, Ali Ahmeti si njeri me ide inovative, duket të jetë politikani i parë që shpreh hapur dëshirën e tij për të tjetërsuar qëllimin e Tryezës. Ai, i vetëdijshëm për fuqinë politike të Tryezës, e cila i rinte mbi kokë si shpata e Demokleut, nuk e refuzoi atë, as nuk e përbuzi, madje as nuk bëri përpjekje që ta shpërbëjë ashtu siç i parapriu shpërbërjes së Tryezës në vitin e parë të pasluftës, por e ç’vleftësoi atë. Ai donte të mbledhë Tryezën jo për ti vendosur objektivat kryesore në mbrojtje të çështjes shqiptare, por për ta kujtuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, madje e kishte zgjedhur edhe ditën e njëjtë, 13 Gushtin. Pra, të kuvendosh në Tryezë për një dokument të cilit i janë shkelur parimet dhe i është humbur vlera, e ç’vleftëson edhe vetë Tryezën, të cilën shqiptarët me shumë përpjekje e ngritën si mekanizëm politik të tyre. Ai ju drejtua oponentëve të tij (që dikur i quajti horra) dhe u tha: Hajde të kujtojmë hedhjen e nënshkrimeve në atë copë letër, e cila sot, për fat të keq, as për “memoar” nuk vlen.

A thua këto veprime i bën nga padituria apo nga mos pjekuria? Jo, e bën nga halli. Ai i ngriti vetes një hall të madh kur ndërtoi kullën prej letre dhe në krye të saj vendosi njeriun prej kartoni. Ai ngriti çështjen e “Kryeministrit shqiptar” me një kandidat, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të ishte figurë unifikuese e shqiptarëve, e aq më pak i realizueshëm si plan, të cilin, bazuar në veprimet e tij politike në të kaluarën, as vetë nuk do ta votonte. I vetëdijshëm për kurthin elektoral të tij, i duhej të dilte nga Rava në të cilën ishte futur dhe kjo mund të arrihej jo duke e neglizhuar thirrjen e Tryezës, por vetëm duke e larguar çështjen e “Kryeministrit” nga rendi i ditës. U tregua që Ali Ahmeti e ka më të vështirë diskutimin rreth çështjes së “Kryeministrit shqiptar” me oponentët politik të të njëjtit gjak, se sa të largojë tërësisht si tematikë nga agjenda e bisedimeve me oponentët maqedonas. Ai nuk e ka shqetësim defunksionalizimin e Tryezës si koncept politik të shqiptarëve, sepse e sheh si pengesë për rrugëtimin e tij të mëtutjeshëm. Gjithçka që e pengon duhet të shpërbëhet ose të paktën të tjetërsohet. Të ç’vleftësohet. I pafuqishëm për ta shpërbërë tërësisht, ai zgjodhi t’ia ndërroj kuptimin, t’ia ndërroj qëllimin dhe ta kthej nga një instrument që do t’u shërbente shqiptarëve për të hartuar planet e tyre strategjike, në një vend përkujtimi për të kaluarën e tyre.

Ai vet, por edhe bashkëmendimtarët e tij, ashtu si pjesa dërrmuese e shqiptarëve, e dinë se legjitimiteti i forcës së tij politike është i cunguar dhe Tryeza do t’ia nxirrte akoma më shumë në sipërfaqe këtë vjedhje klasike të “legjitimitetit” politik. Atij nuk i duhet kuvendimi me partitë tjera shqiptare, ai as nuk shqetësohet për unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe as nuk i nevojitet ndonjë mekanizëm tjetër që do të mundësonte përafrimin e qëndrimeve apo harmonizimin ndërpartiak të programeve politike. Jo, sepse kjo nuk i sjellë fitore atij. Ai e di se në çdo rast, për të fituar do të duhet ta vjedhë përsëri legjitimitetin. Përderisa vjedhja është çelësi i fitores, ai çdo fazë politike e shef si kalkulim të thjeshtë për përfitime të ulëta partiake, sa për të larë veten nga akuzat për papërgjegjshmëri politike. Alibi për të mbuluar gënjeshtrat elektorale.

Oponentët e tij politik, nuk duhet t’i marrin seriozisht manovrimet politike të Ali Ahmetit, por duhet të mbrojnë me seriozitetin maksimal karakterin e Tryezës së partive politike parlamentare shqiptare duke insistuar që çështja e “Kryeministrit shqiptar” të jetë tema kryesore e asaj Tryeze. Aty duhet të jetë vendi ku Ali Ahmeti dhe BDI-ja do të japin llogari dhe do të mbajnë përgjegjësi për gënjeshtrat e tyre në kurriz të shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të jenë peng i folklorizmit patriotik dhe injorancës në vendimmarrje. Shqiptarët e thanë qartë se e duan ndryshimin, prosperitetin, mirëqenien, drejtësinë dhe zhvillimin.

Nuk duhet lejuar që njerëz të papërgjegjshëm, të pa ditur, vjedhacak e hileqarë të shërbejnë si krahnicë e atyre që shqiptarët i shohin vetëm si numra dhe jo si qenie normale njerëzore. Shqiptarët duan drejtësi dhe ata u ngarkuan juve që ta sjellni drejtësinë dhe mirëqenien. Bëjeni realitet! Egjiptianët i largonin nga tryeza ata që kishin sjellje të papërgjegjshme, kurse Romakët ua merrnin të drejtën për të folur atyre që e nënçmonin Tryezën. Ali Ahmeti, ti ja vure vetes “litarin” në fyt, njëjtë si i “shëmtuari” në filmin e Klint Istvudit “The Good, The Bad And The Ugly” – (I miri, i keqi dhe i shëmtuari) i cili për dy qese me Rubla, ra në kurthet e tij duke përfunduar me kokë në litar dhe me këmbë mbi kryq. Hordhia lëvaret në plep. Ali Ahmeti, ti vendose “këmbën” aty ku shqiptarët i vendosën hallet e tyre. Kjo hipokrizi ka fund dhe ai fund nuk është larg! (koha.mk)