UT dhe Galeria e Arteve në Tetovë organizuan ekspozitë të përbashkët – AlbMania      

UT dhe Galeria e Arteve në Tetovë organizuan ekspozitë të përbashkët

 UT dhe Galeria e Arteve në Tetovë organizuan ekspozitë të përbashkët

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Institutin nacional – Galeria e Arteve në Tetovë organizuan ekspozitën e përbashkët për nder të Ditës Botërore të Artit. Për shënimin e kësaj dite Instituti nacional – Galeria e Arteve në Tetovë ka organizuar një sërë aktivitetesh, në mesin e të cilëve edhe organizimi i ekspozitës së përbashkët me studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

Organizimi i ekspozitës në sheshin e Rektoratit të Universitetit të Tetovës është dëshmi për qasjen dhe përkushtimin e studentëve në punë dhe afirmimin e saj me njerëzit, me qëllim që njerëzit të kenë qasje të drejtpërdrejtë me punimet dhe kreativitetin e studentëve. Dekani i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Nafi Jashari e falënderoi drejtorin e Galerisë së Arteve, Ilir Kurtishin, për realizimin e kësaj ekspozite në sheshin e Universitetit të Tetovës, ku studentëve u jepet mundësia për të afirmuar kreativitetin e tyre me punime të ndryshme. Në këtë ekspozitë marrin pjesë studentë nga të gjitha vitet dhe disa prej tyre në këtë ekspozitë kanë shfaqur punimet e tyre profesionale. Ai, më tej tha se edhe në të ardhmen do të vijojë bashkëpunimi me aktivitete të ndryshme mes të Fakultetit të Arteve dhe Institutit nacional – Galeria e Arteve në Tetovë.

Drejtori i Institutit nacional – Galeria e Arteve u shpreh se, qëllimi kryesor është shënimi i 15 prillit Ditës botërore të artit. “Siç dihet, 15 prilli është Dita botërore e artit, është ditëlindja e Leonardo Da Vincit. Ne, në saje të kësaj dite kemi organizuar aktivitete njëjavore, duke filluar nga e hëna dhe të premten do t’i përmbyllim këto aktivitete.

E zgjodhëm këtë mënyrë që ekspozitat t’i organizojmë në ambiente të hapura dhe në pika të ndryshme të qytetit dhe një ndër ato është edhe Universiteti i Tetovës.

Siç e potencova edhe më lartë, ky aktivitet tanimë ka katër ditë që ka filluar, fillimisht kemi filluar në qendër të qytetit të Tetovës, pasi që ka frekuentim më të madh të qytetarëve dhe të gjithë të interesuarit kanë pasur mundësi që edhe të pikturojnë, por njëkohësisht edhe janë informuar me përmbajtjen e ekspozitës, kanë qenë qytetar të grup moshave të ndryshme, pastaj ditën e dytë kemi qenë te Parku i Bletëve, për rreth lumit Shkumbin, që ishte një ekspozitë me fotografi, ndërsa ditën e tretë, para Qendrës për kulturë në Tetovë, me veprat më të mira që i kemi nga koleksioni i Galerisë së Arteve Pamore në Tetovë.

Sot jemi këtu në ambientet e jashtme të Universitetit të Tetovës me qëllim të promovimit të veprave të ndryshme të studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, që edhe studentët e këtij fakulteti të ndihen si nikoqirë të këtij aktiviteti”, theksoi drejtori i Galerisë së Arteve në Tetovë, Ilir Kurtishi.

Aktivitetet për shënimin e Ditës Botërore të Artit do të përmbyllen ditën e nesërme, me ekspozitën me grafika që do të organizohet në parkun e qytetit të Tetovës.