Vetëvendosja, optimiste se do të shkrihen dallimet me LDK-në

 Vetëvendosja, optimiste se do të shkrihen dallimet me LDK-në

Dy subjektet më të votuara nga zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdojnë të mos jenë unike rreth një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, teksa java që po vjen pritet të jetë vendimtare për fatin e këtij koalicioni. Po ashtu të hënën presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do ta presë në takim kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin për ta propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e qeverisë së re.

Ndërkohë, më optimistë se nga LDK-ja janë shprehur përfaqësues të LVV-së, të cilët kanë thënë se ende ka gjasa reale që koalicioni qeverisës mes dy partive do të arrihet ditëve në vijim.

Deputeti i kësaj partie, Haki Abazi, ka thënë për “Zërin” se të dyja partitë janë dakorduar për 95% të programit, teksa e ka pranuar se ka zbehje të intensitetit të diskutimeve. “Normalisht që ka pasur zbritje në intensitetin e diskutimeve dhe nuk është arritur pjesa finale e marrëveshjes, por ideja është që marrëveshja është e arritur diku mbi 95% në kuptimin e programeve, si dhe ndarjes së përgjegjësive në dikastere.

Tash ka mbetur vetëm çështja e presidentit, e cila realisht duhet të jetë njëra prej çështjeve kryesore në diskutimin e ardhshëm”.
Abazi më tutje është shprehur se marrëveshja LDK – LVV nuk mund të jetë perfekte, por që do të mundësojë bashkëqeverisjen e dy partive për 4 vjetët e ardhshëm. “Unë jam optimist se përgjegjësia historike, në kuptimin e qeverisjes që na kanë dhënë qytetarët, do të artikulohet me një marrëveshje, e cila s’do të jetë perfekte, por me të cilën edhe LDK-ja, edhe LVV-ja do të mundë të bashkëjetojnë për mandatin qeverisës 4-vjeçar. Pres me optimizëm që edhe z. Kurti dhe z. Mustafa të nënshkruajnë marrëveshjen sipas përgjegjësisë që na kanë dhënë votuesit më 6 tetor”, ka shtuar ai.
Ndërsa i pyetur se nëse zgjedhja e kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës i zbeh gjasat për arritjen e koalicionit, Abazi ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron. “Sipas përgjegjësisë kushtetuese, LVV-ja ka mandatuar kryetarin e Parlamentit.

Kjo nuk do të thotë në asnjë formë që është bllokuar çfarëdolloj pozicioni në negociata, por që ky vendim erdhi me qëllim që t’i kthehet kushtetutshmëria Parlamentit, meqë ne jemi shtet parlamentar. Nuk e kemi lënë vakuumin institucional që të vazhdojë pas zgjedhjeve. Nuk ka pasur prolongim të proceseve, nuk ka pasur zvarritje, siç ka ndodhur në të kaluarën, por kemi bërë një kthim të plotë të kushtetutshmërisë në kompetencat e Parlamentit”, është shprehur deputeti i LVV-së./Zëri/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com