Vetëvendosje i kthen përgjigje LDK-së: Nuk ka kthim para 26 dhjetorit

 Vetëvendosje i kthen përgjigje LDK-së: Nuk ka kthim para 26 dhjetorit

Vetëvendosje nuk tërhiqet nga posti i kryeparlamentarit
Lëvizja Vetëvendosje i ka kthyer indirekt përgjigje LDK-së, për ofertën e fundit.

Nga kjo parti kanë theksuar se nuk do të ketë kthim para datës 26 dhjetor kur Glauk Konjufca u zgjish kryetar Kuvendi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në Rubikon të KTV-së, ka theksuar se nuk ka kthim prapa.

“Ne nuk mund të kthehemi as para 6 tetorit, as para 26 dhjetorit. Për ne ishte e papranueshme qasja e tillë dhe rrjedhimisht nuk kemi pranuar të përzihej çështja e presidentit. Kanë qenë rrethana të tjera para zgjedhjeve. U përfshi çështja e presidentit atëherë sepse ne menduam një mandat tetëvjeçar. Sot po flasim për katërvjeçar. S’mund të flasim për situata para 6 tetorit”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se arsye tjetër pse VV-ja ka refuzuar përfshirjen e postit të presidentit në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishte se nuk mund “të jepeshin votat bllanko pa ditur një kandidat”.

Ndërsa deputet i Vetëvendosjes, Liburn Aliu ka thënë se kjo parti nuk është kundër që propozimi për president të jetë nga radhët e LDK-së. Megjithatë, ai ka thënë se atyre u duhet një emër para se të japin premtimin se do ta votojnë.

“Për neve ka qenë normale që propozimi të jetë dikush nga LDK, por nuk mund të pranojmë një bllanko mbështetje sepse ata pastaj kanë mundësinë të zgjedhin kë të duan”, ka thënë ai.

Sipas tij, është problematike që kryetari i VV-së ose grupi negociues të japë premtim për votat bllanko të të gjithë deputetëve të vet. Ai ka thënë se kjo nuk është njëjtë sikur me votimin e Albin Kurtit për kryeministër.

Ndryshe, LDK sot i ka bërë ofertë publike VV-së që t’ia jap postin e kryetarit të Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com