Villma dhe Katica zihen në sallën e gjykatës, përveç Pançevit, ka incizuar edhe Kiçeeci

 Villma dhe Katica zihen në sallën e gjykatës, përveç Pançevit, ka incizuar edhe Kiçeeci

Jo vetëm afaristi Jordan Kamçev, por edhe i dënuari Zoran Milevski-Kiçeec ka incizuar me celularin e tij. Incizimet e tij sot u prezantuan në sallën e Gjykatës, por prokurorja Villma Ruskoska tha se ka dy incizime të cilat opinioni publik nuk duhet t’i shohë për shkak të përmbajtjes private dhe eksplicite. Me këtë nuk u pajtua e akuzuara Katica Janeva.

“Kërkojmë që opinioni të mos përjashtohet nga procesi. Kërkojmë që përmbajtjen e usb-së së Zoran Kiçeecit të prezantohet sot dhe kërkojmë që të mos përjashtohen gjërat e pakëndshme me qëllim që të shihet se kush manipulon, kush bën zhvatje, kush ofron ryshfet dhe kush është manipuluar, në interes të opinionit publik”, deklaroi Katica Janeva, e akuzuar në “Reket”.

Janeva shtoi se kur i ka dorëzuar provat, Prokuroria duhej të kishte parasysh këtë fakt. Prokurorja Ruskoska u përgjigj: “Ju kolege nëse kishit menduar, tani nuk do të ishit këtu – në bankën të akuzuarve”.

“E ti nëse kishe menduar, nuk do të kishe montuar raste dhe askush prej nesh nuk do të ishte këtu në sallën e Gjykatës”, theksoi Bojan Jovanovski, i akuzuar në “Reket 3”.

Avokatët e Bokit-13 dhe Janevës reaguan se incizimet nuk janë autentike, ndërsa Boki shtoi se për shkak se vjen prej këtij sektori dhe i njeh këto gjëra, pohon se atë që e kanë dëgjuar në sallë, është montazh amator.

“Këto prova nuk mund të konsiderohen si autentike, sepse është evidente se bëhej fjalë për incizime të disa bisedave të ngjitura njëra pas tjetrës, kështu që ka dyshime të mëdha për kushtet në të cilat janë incizuar bisedat në fjalë, në çfarë kushtesh janë dhënë deklaratat, dhe nëse janë dhënë në të njëjtin moment. Për këtë nuk është bërë ekspertizë e cila do të konfirmonte këtë. Prandaj, ne dyshojmë se këto incizime mund të përdoren si provë”, potencoi Delo Kadiev, avokat i Janevës.

Avokatët e Janevës thanë se me këto prova konfirmohet se Ana Kamçeva, ndërsa më vonë edhe Orce Kamçevi me ryshfet kanë arritur të lirohen nga “Perandoria” e PPS-së.

“Përmes kësaj lënde në fakt jepet mbrojtje për lëndën “Perandoria” dhe ka përpjekje të tregohet se të akuzuarve u është kërkuar ryshfet. Në fakt, siç do të keni mundësi të shihni, gjithçka është bërë me zhvatje”, deklaroi Kadiev.

Gjykatësja Vaska Nikollovska-Masevska para fundit të seancës lexoi një raport nga mjekë specialistë, i cili konfirmon se Boki-13 nuk ka kancer, por ulcerë në lukth dhe në të ardhmen mund të marrë pjesë në seancat e caktuara. Raportin e kanë nënshkruar 16 mjekë, por pala mbrojtëse nuk dakordohet me këtë.

“Në jetën e tij nuk e kanë kontrolluar 16 mjekë, por në atë Klinikë raportin e kanë vulosur mjekë të cilët në atë moment ishin atje. Kjo hedh dritë të re ndaj gjithë procedurës, e kjo do të thotë se i akuzuari Bojan Jovanovski duhet të jetë në paraburgim me çdo kusht dhe do të jetë në paraburgim deri në fund të kësaj procedure, e cila bazohet në prova mbi të cilat nuk mund të sillet asnjë aktvendim. Në një vend normal këto prova do të ishin hedhur poshtë që nga vlerësimi i aktakuzës”, potencoi Sashko Dukovski, avokat i Jovanovskit. Seanca e sotme ngeci tek incizimet për të cilat Janeva dhe Boki-13 këmbëngulin të jenë publike, ndërsa Ruskoska është kundër, për shkak të mbrojtjes së jetës private të Bojanit dhe bashkëbiseduesit, Zoran Milevski. Gjykimi vazhdon nesër kur do të mësohet nëse gjykatësja do të lejojë prezencën e opinionit publik./Tv21/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com