Walker: Masakra e Reçakut, fakt i pamohueshëm

 Walker: Masakra e Reçakut, fakt i pamohueshëm

Një ditë para 21-vjetorit të masakrës së Reçakut, njëra nga masakrat më të tmerrshme të kryera nga forcat policoro-ushtarake serbe në Kosovë, në të cilën u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, ish-ambasadori i OSBE-së William Walker gjatë vizitës së tij në Kosovë ka deklaruar se kjo masakër është krim i pamohueshëm dhe për të ka dëgjuar e gjithë bota, shkruan gazeta “Zëri”.

Derisa sot shënohet 21-vjetori i masakrës makabre të Reçakut, që forcat policoro-ushtarake serbe kryen në Kosovë, ish-ambasadori i OSBE-së William Walker ka risjellë në kujtesë këtë ndodhi duke shprehur keqardhje për vrasjen barbare të 45 shqiptarëve të kësaj zone. Walker në konferencën e organizuar nga Republikanët e Kosovës (REK), të quajtur “Reçaku nuk është gënjeshtër”, deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili e quan masakrën e Reçakut trillim të Walkerit, theksoi se krimi që u bë në këtë pjesë të Kosovës është i pamohueshëm dhe për të ka dëgjuar e gjithë bota. “Dua t’ju pyes nëse është dikush në dhomë, i cili beson se Reçaku nuk ka ndodhur. Unë besoj se ka shumë njerëz edhe në Beograd që e kuptojnë se Reçaku nuk ishte gënjeshtër. Unë nuk jam këtu sot që ta vërtetoj se Reçaku nuk ishte gënjeshtër, sepse bota e di se Reçaku ka ndodhur dhe aty u vranë 45 shqiptarë”, ka thënë Walker.

Walkeri, i cili gjatë luftës në Kosovë kishte shërbyer si ambasador i OSBE-së, gjatë fjalës së tij deklaroi se Vuçiqi me mohimin e masakrës së Reçakut ia rikujtoi atij fjalimet e dikurshme të “Kasapit të Ballkanit” Sllobodan Millosheviqit.

Kurti: Serbia të kërkojë falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve

Kurse Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës (REK), duke folur për masakrën e Reçakut dhe për gjenocidin që kishte ndodhur në Kosovë theksoi se duke u mohuar krimet e Serbisë ka mundësi të përshkallëzohet marrëdhënia me shteteve deri në luftë. Ai tutje ka thënë se nisma “Reçaku nuk është gënjeshtër” synon të nënvizojë të vërtetën e mohuar që kishte ndodhur në Reçak 21 vjet më parë, shkruan tutje “Zëri”.

“Në kohën kur propaganda serbe është më aktive se kurrë kundër Kosovës, historia rrezikon të ndryshohet keqas, ndaj ne së bashku me ambasadorin William Walker ndiejmë nevojën e menjëhershme të pohojmë fort dhe saktë se Reçaku nuk është gënjeshtër. Jo vetëm Reçaku, por të gjitha krimet serbe duhet të dalin në dritë”, është shprehur Kurti.

Kësisoj sipas tij Serbia duhet ta pranojë gjenocidin, të cilin e ka bërë ndaj shqiptarëve me qëllim që të gjendet paqja në mes të dyja shteteve. “Një krim i mohuar është vrasje për së dyti, ndaj ne Republikanët e Serbisë dhe të Kosovës njohim vetëm një rrugë për afrimin dhe për paqen midis dy popujve dhe kjo është njohja, pranimi e kërkimi i faljes nga ana e Serbisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai.

Sanduloviq: Serbët e mençur s’e mohojnë masakrën e Reçakut

Në anën tjetër Nikola Sanduloviq, kryetar i Republikanëve të Serbisë, po ashtu pjesëmarrës në konferencën “Reçaku nuk është gënjeshtër”, deklaroi se Serbia dhe serbët e mençur e njohin masakrën që ka ndodhur në Reçak 21 vjet më parë. Prandaj sipas tij për krimin që ndodhi në këtë vend është e pamundur të kërkohet nga Kosova ta falë ose ta harrojë.

“Fillimisht si njeri e më pas si politikan dua të ndaj dhimbjen me të gjithë ju, edhe pse çfarëdo që them është pak, por dua ta dini se në Serbi ekzistojnë njerëz, të cilët mendojnë si unë. Dua të flas për krimin që ka ndodhur dhe nuk dua që as si njeri dhe as si politikan të kërkoj nga ju ta harroni ose ta falni, sepse kjo është e pamundur, ai që mundohet ta thotë ndryshe është i pasinqertë. Dua ta bëj një hap drejt pajtimit për gjeneratat që vijnë. Dua që në emër të pjesës që ka kryer krimin ndaj popullit tuaj dhe masakrës që ka ndodhur, dua ta dini se Serbia e mençur, Serbia normale me të cilën keni jetuar në fqinjësi, e di këtë që ka ndodhur”, ka thënë ai.

Sipas tij, mohimi i kësaj masakre është përbuzje e këtij krimi të rëndë, që kishte ndodhur 20 vjet më parë. “Duke u munduar ta mohojnë atë që ka ndodhur, ata thjesht kanë kryer sërish krim. Të flasësh me një përbuzje të tillë rreth këtij krimi, i cili ka ndodhur para 20 vjetëve është një krim. Dua t’ju them si një njeri që nuk ka marrë pjesë në luftë dhe i cili ka mbijetuar gjashtë atentate nga regjimi i Millosheviqit, sepse jam rritur me shqiptarët, jam rritur me kroatët e me kombësi të tjera, në vendin ku kam jetuar nuk ka qenë e rëndësishme se kush e çka je”, tha ndër të tjera Sanduloviqi.

Krejt në fund ai ka thënë se ajo që sot e pengon paqen mes këtyre dy vendeve janë politikanët serbë si Aleksandar Vuçiçi, Ivica Daçiçi dhe Vojislav Shesheli, të cilët janë mbeturinat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit./ZËRI/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com