Zbardhet vrasja, autori ngatërroi shënjestër dhe qëlloi shokun e tij – detajet e fundit – AlbMania          

Zbardhet vrasja, autori ngatërroi shënjestër dhe qëlloi shokun e tij – detajet e fundit

 Zbardhet vrasja, autori ngatërroi shënjestër dhe qëlloi shokun e tij – detajet e fundit

Zbardhen detaje nga vrasja në Shkodër e Gledis Krajës mbrëmjen e së hënës, ku një person me emrin Stjuart Smakaj, i njohur edhe si mik i viktimës, është arrestuar dje nga policia, ndërsa një tjetër i dyshuar është shpallur në kërkim. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së hënës rreth orës 21:45 minuta në lagjen “Perash”, ku shkak është bërë një konflikt i vëllezërve Smakaj dhe shokut të tyre të ngushtë Gledis Kraja, me një tjetër person, Denis Halili.

Ndërkohë policia bën me dije se ekzekutimi i Gledis Krajës, i cili njihet si ish-futbollist i Vllaznisë është bërë aksidentalisht, pasi në fakt shënjestra e këtij atentati ka qenë një person me emrin Denis Halili. Nga ana tjetër burime nga policia bëjnë me dije se indicja e kësaj ngjarje ka qenë një konflikt banal për disa mobilie, që autori i kishte porositur te Halili. Situata ka degraduar duke bërë që Stjuart Smakaj, të qëllojë me armë tip automatik të modifikuar drejt makinës që ndodhej shënjestra. Pas sherrit Smakaj mësohet të jetë ngjitur në banesë, teksa ka marrë armën dhe ka qëlluar nga kati i dytë i banesës në lagjen “Danjel Matlija”.

Sipas policisë, shënjestra ka arritur që të shmangej nga makina e Halilit, e cila u largua me shpejtësi dhe plumbat e zbrazur nga Stjuart Smakaj kanë kapur aksidentalisht shokun e tij, Gledis Kraja që ishte në makinën e tij tip “Ford” me targa AA472KU duke e plagosur rëndë. Sipas informacioneve, autori i vrasjes Stjuart Smakaj, ka pranuar dje autorësinë e vrasjes teksa më pas është vënë në prangat e policisë, ndërsa vëllai i tij, Sebastian Smakaj është shpallur në kërkim.

Detaje nga ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës rreth orës 21:45 minuta në Shkodër, teksa një 23-vjeçar me emrin Gledis Kraja është qëlluar me automatik. Burime nga policia bëjnë me dije se Gledis Kraja fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por pas pak minutash humbi jetën në spitalin rajonal të Shkodrës duke mos arritur që t’u bëjë ballë plumbave që kishte në trup.

I riu u dërgua me shpejtësi në spital për t’i dhënë ndihmën e parë, por nuk ia ka dalë që të shpëtojë. Menjëherë forca të shumta policie shkuan në vendin e ngjarjes duke rrethuar zonën dhe duke nisur hetimet për vrasjen e ndodhur. Nga burimet policore mësohet se autor i dyshuar i vrasjes së 23-vjeçarit është shtetasi Sebastian Smakaj dhe i dyshuar si bashkëpunëtor vëllai i tij, Stjuart Smakaj, të cilët janë shpallur në kërkim. Vëllai i autorit të dyshuar ka qenë shok i ngushtë me viktimën. Dje policia arrestoi një nga vëllezërit, duke i sekuestruar edhe armën e krimit.

Nga sa mësohet 23 vjeçari është vrarë gabimisht nga shoku i tij. Autori i dyshuar ka porositur mobilje për shtëpinë në një kompani në Shkodër. Sipas policisë, porosia e mobiljeve i ka mbërritur poshtë pallatit në lagjen Qafë Hardhi dhe në atë moment autori i dyshuar ka nisur një debat për parkimin e kamionit që kishte sjellë mobiljet për shkak se ishte bllokuar rruga. Në atë çast ka vijuar debati me shoferin e kamionit që solli mobiljet. Më pas aty ka mbërritur edhe pronari i kompanisë së mobiljeve me të cilin autori i dyshuar ka vazhduar debatin.

Më pas shtetasi Sebastian Smakaj dyshohet se ka shkuar dhe ka marrë armën e zjarrit tip automatik kallashnikov dhe ka ardhur në drejtim të vendit ku ka debatuar. Aty dyshohet se ka nisur që të qëllojë në drejtim të pronarit të mobilieve, por gabimisht një plumb ka kapur në shpatulla shokun e tij Gledis Kraja, i cili humbi jetën në spital. Madje viktima ka qenë duke ndihmuar shokun e tij në debatin që kishte me kompaninë e mobiljeve, por mbeti i vrarë gabimisht nga shoku i tij, i cili ka shtënë me 14 plumba në total. Viktima në momentin kur mbeti i plagosur është dërguar në spital nga vëllai i madh i autorit të dyshuar.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personit tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.