Zendeli: Kakofonia e partive politike në Maqedoni

 Zendeli: Kakofonia e partive politike në Maqedoni

Shkruan: Mislim Zendeli

Pyetja që shtrohet para nesh është: tash e tutje ne shqiptarët në Maqedoni, kah të vemi ? Si të organizohemi politikisht për të vepruar mbarë e ta bëjmë të dashur, të pëlqyeshme, të pranueshme jetën tonë e të brezave…
Gati një shekull më parë, më saktë në vitin 1936, revolucionari internacionalist e shkrimtari ndër më të dalluarit e letërsisë shqiptare Petro Marko mes tjerash parashtronte pyetjen, që edhe sot është aktuale,“Nga t’ia mbajmë?“,për të vazhduar më tej: “kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu…T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim një nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi! Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan dhe gjurmët e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po vazhdojnë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk.”

Atëbotë kemi pasur thirrje mjaft të qëndrueshme për të gjitha shtresat, për t’iu shmangur rrugës së gabuar, atij të nëpunësisë siç thotë i madhi Petro Marku.
Nërkaq ndër ne, në këtë nënqiellin tonë të çoroditur, para disa ditësh, një profesor universitar, me brejtje të ndërgjegjies, del me një thirrje, të përgjithshme, të zëshme të drejtuar drejtë profesorëve universitarë, studentëve të Universiteteve në Tetovë, profesorëve të shkollave të mesme, arsimtarëve të të gjitha shkollave shqipe në Maqedoni, dhe mbase edher më gjerë të cilët, me edukimin dhe vetëdijen e tyre të pastër, me ndërgjegjësim, në zgjedhjet e sivjetshme, të parakohshme, më 12 prill duhet të votojnë:

N D R Y S H E ! N D R Y S H E ! N D R Y S H E ! (Sic!).

Në shikim të parë kjo thirrje që e ka lëshuar një profesor i Universitetit të Tetovës, e që në fakt paraqitet si shpërthim e rebelim i një njeriu i cili siç thotë vetë ka qenë pjesëtar i një force politike, bile edhe funksionar i lartë i saj, është për t’u mirëpritur!!?? Por kur profesori vazhdon tani i zgjuar nga përgjumja, prej afër dy dekadash, e i cili lyp e kërkon ndryshim që sipas tij nënkupton të votohen partitë opozitare të bllokut shqiptar…me të vetmin qëllim që BDI-ja të shkojë në opozitë, atëherë ndërron puna, mu siç rrëfehet në meselenë për lopën e Nasredinit!?

Thirrja që bënë një profesor universitar për rininë dhe njerëzit e shkolluar, dhe jo vetëm, paraqet miopi politike. Po e theksoj për njerëzit e shkolluar dhe jo vetëm, si rei publicae, por edhe për të gjithë ata që kanë sens për t’i kuptuar gjërat, dukurit e punët e politikës, sidomos tani kur fjala intelektual e ka humb kuptimin e gjenezës meqë është bastarduar deri në skajshmëri! Ma thotë mendja se popullit shqiptar këtu në RMV-së nuk i duhen parti në pozitë dhe në opozitë, por i duhet një unifikim dhe një zë më i përbashkuar i bazuar në një platformë gjithëpërfshirëse me një strategji dhe taktikë veprimi politik, sa më autokton.Them se largimi a shporja e një partie politike apo e një tabori dhe zëvendësimi me një tjetër parti, grupim a tabor politik nuk është duke dhënë rezultate tanimë tri dekada e ca. Këtu nuk na duhet opozitë ndër shqiptarë meq siç dihet, gjithë kohën e kemi një opozitë të fortë madje të përhershme në parlament dhe në parlamentet vendore ato të komunave, sa herë që është kërkuar diçka për të cilën kemi nevojë a për diçka më ΄tepër se që kemi΄, siç na mvishet. Aty e gjithkund e kemi opozitën e palës tjetër, e cila kur bëhet fjalë për çështjet e realizimit të të drejtave për ne jo që është e njëzëshme me pozitën, mbase herëherë me ne përprenda, por është edhe e koordinuar konform një strategjie të heshtur, të hartuar e të përpiluar dhe me mbështetje të fortë nga fella akademike dhe e shumë segmenteve tjera shoqërore e shtetërore…

Shi për këtë mendoj se tanimë ka ardhur koha që forca politike të përbashkëta, pushtetarët, opozitarët, oportunistët, të gjithë, të bashkohen rreth një qendre me vizion për një të ardhme më të ndritshme për gjeneratat e reja, gjenerata këto, të cilat siç duket, të ndodhur në huti, janë ta painteresuar a që kanë rënë në gjumë letargjik apo që shpëtimin e shohin në ikje e në largim nga vendi e vendlindja. Ndërkohë që ne fare mirë e dimë se çka sjell kjo mënyrë veprimi! Sjell shpopullim dhe tharrje të trungut edhe ashtu të krijuar me mund e sakrifica llojesh të ndryshme. Tashmë me të madhe e haptas kjo ikje e rinisë e në veçanti largimi i trurit po ndodh gjithandej viseve tona! Ky fenomen sjell braktisje e shkretërim, varfëri, zhbërje…Këto forca me qasje politike nuk duhet të lihen vetëm, por duhet të mbështeten e të përkrahen edhe nga njerëz të politikës e të jopolitikës, të jurispondencës, të shkencave politike e njerëz fushash të ngjashme që të mëkëmben, por jo si lidership por vetëm si mbështetje dhe në ‘backround’. Është nevoja të shquhet identiteti etnik që ngrihet si ndërlidhje kohezive me identitetin e unifikuar shpirtëror, kulturor, gjuhësor…tonin e që nuk e cënon fare e as që e dëmton tjetrin.

Është e ditur dhe është thënë kaherë se vizioni është arma më e fuqishme për ndryshimin e botës. Është zjarri që ndez pasion te ndjekësit e përkrahësit. Është koncept dhe thirrje e qartë që mbështet përpjekjen e fokusuar vit pas viti, dekadë pas dekade e që te popullata krijon besim të qëndrueshëm dhe ndjenjë e ndjesi flijimi për ta realizuar, tërësisht apo edhe pjesërisht. Kur nuk ka vizion, siç është rasti me ne, populli bëhet masë amorfe, pa trajtë, i paqëllim, pa fokusim e pa ëndrra për të nesërmen, për ardhmërinë.
Thuhet se “pa vizion, populli vdes”, dhe jo rastësisht një prej përkufizimeve për vizionin thotë: “vizioni është një tabllo e së ardhmes që prodhon shpresë dhe passion”. Vizioni i rrugëtimit politik të popullit shqiptar në RMV-së, i cili ngërthen mision e strategji, duhet të ofrojë përgjigje në pyetjet : çka, si, kush dhe kur ?…

“Çka-ja” për ne shqiptarët e RMV-së, në pika të shkurtra nënkupton, çka do të dëshironim, çka kemi synim :
-integrim në një shtet të përbashkët me palën maqedonase ?,
-pritje të ditëve më të mira, respektivisht integrim përmes Evropës së bashkuar ?,
-shtet binacional ?,
-federatë a konfederatë, ridefinim?,
-ndarje e bashkim me ndonjërin nga shtetet shqiptare, apo?????

Kur të arrijmë të zbërthejmë përgjigjen e “çka-së” të vizionit tonë, atëherë do të mund të vazhdojmë më tutje për të mos sharruar në një rrugëtim përsëri të gabueshëm dhe në humbjen e dekadave tjera apo për most ë sharruar në një DYSTOPI “një rrëfim fiksioni imagjinar që shpërfaq një shoqëri t’imagjinuar e cila është e organizuar në mënyrë që anëtarëve të vet ua ndalon ta arrijnë mirëqenien!” Konkretisht duhet gjetur e ofruar përgjigje në pyetjen kush, cili? Këtu kemi të bëjmë me krijimin e një ekipi apo të një skuadre e cila do të realizojë vizion-ëndrrën.

Pyetja e radhës për vizionin është si të gjejmë mënyrat apo rrugët e shtigjet, thënë më saktë strategjitë e taktikat e veprimit politik, legal, legjitim e të lejueshëm, përmes të cilave do të arrihet tek opsioni si përcaktim i zgjedhur. Po aq me rëndësi, është përgjigjja në pyetjen kur apo timing-u, kur duhet të merren masat apo hapat për realizimin e strategjisë së përzgjedhur?!.

Sa i përket modelit të një përcaktimi dhe realizimi të një strategjie të qëndrueshme nuk duhet të lodhemi shumë: në botë ka shembuj e shembuj veprimi të tillë dhe mbase me bollëk. Le të vemi p.sh. te rasti i Martin Luther King-ut me thënien shekullore, “I have a dream” – “Kam një ëndërr”. Kemi në afërsi thuajse brenda nesh, popullin e Kosovës, ku i madh e i vogël, i pasur e i varfër, i shkolluar e i pashkollë, përqafuan vizionin e qëndrueshmërisë me “paqe” e pa “dhunë”: “Kosova shtet i pavarur dhe Sovran”. Rruga ishte tepër e vështirë! Me sakrifica të llojeve të ndryshme ! Me gjakun e dëshmorëve e të heronjëve në luftën për pavarësi, populli i Kosovës arriti t’a realizojë strategjinë për një shtet të pavarur. Shtrohet pyetja, a ishte kjo një ëndër-vizion? Kuptohet se, kjo paraqiste guximin e përzgjedhjes për veprim politik dhe përcaktimin për realizimin e një ëndrre të mundshme. Shtyrjen nga minareja si në meselenë me hoxhën se Zoti ia thyen kryet, e bëri lufta e drejtë e UÇK-ës e ndihmuar nga aleatët ndërkombëtarë sollën lirinë aq shumë pritur. Kur vizioni është i parealizueshëm atëherë ai paraqet utopi apo mashtrim, siç u tha më lart!

Një realizim të një ëndrre, vizioni, e bëri rishtas me angazhim e veprim politik pakëz më të veçantë, para do ditësh edhe “Vetëvendosje” e Albin Kurtit. E kjo u bë pas një krajate opozitare prej afër dy dekadash e gjysmë. Zoti Albin Kurti në fjalimin e tij gjatë marrjes së mandatit si Kryeministër mes tjerash tha: “Atyre që njohin dhe respektojnë vendin tonë ne u themi se do të fuqizojmë bashkëpunimin dhe partneritetin, atyre që hezitojnë të na njohin ne u themi se do të punojmë që të fitojmë njohjen dhe respektin tuaj, atyre që mohojnë të drejtën tonë dhe që synojnë të na pushtojnë nga jashtë e të na ndajnë përbrenda unë u them që tani ka një kryeministër të ri dhe koha kur interesat e personave ishin mbi interesat e shtetit, kanë mbaruar, dhe se Kosova është vend i pavarur e sovran kjo është premisa e çdo dialogu e epilogu, e çdo marrëveshje.” A nuk paraqet kjo një dëshmi e një mesazhi të vizionit-ëndër të tij për ndërtimin e ardhshëm të Kosovës si shtet demokratik dhe të pavarur, drejt rrugës evropiane, atje ku edhe e ka vendin? A është kjo një ëndërr, një vizion, i cili mund të arrihet të bëhet realitet poqese ka njerëz me vullnet, guxim, durim, dije e aftësi për realizimin e këtyre synimeve? Pra me rëndësi është të përcaktohet vizioni pastaj çdo gjë arrihet hap pas hapi, pa e huqur Timing-un, e pa u vonuar siç jemi vonuar tashmë historikisht. Është koha edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të ngrenë lartë vizionin e tyre, ëndërr-vizion dhe të ringjallin shpresën te njeriu ynë, tek i riu e te plaku … të frymëzojnë rininë për krijimin e kushteve në vendin e tyre, në shtetin e vet.
Le të jetë kjo një thirrje e një porosi frymëzuese për ringjalljen e shpresës e cila siç u tha vdes e fundit, meq siç duket ajo tanimë ka filluar të rrëshqet në humnerat e theqafjes. Megjithatë! Të përmendemi e të veprojmë me mendje të kthjelltë e të përbashkët, unike! Le t’i shmangemi “orës së ligë” me strukturime laramane taboresh e partish politike! Le të përbuzim lakminë për karrige e pushtete ! Le të mos propagojmë politikë mashtruese plot injorancë e korrupsion duke bërë politikë struci e duke mos mësuar dot asgjë nga dështimet e bëra.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com